Mbyllen 4 burgje. Manja flet edhe për kreun e SPAK: Zgjatja e mandatit të Krajës i takon Kuvendit

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, nga Fieri tha se në vendin tonë do të mbyllen 4 burgje për shkak të mungesës së infrastrukturës së tyre. Manja tha gjithashtu se vendi ynë do të bëjë përpjekje të vazhdueshme për të lidhur marrëveshje ekstradimi me shtetet, të cilat dyshohen që fshihen kriminelët shqiptarë, veçanërisht me Dubain.

Zgjatja e mandatit të Arben Krajës në krye të SPAK, Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja tha se e ka në dorë vetëm Kuvendi i Shqipërisë.

"Reforma në drejtësi është një reformë e konceptuar terësisht në parlamentin e Shqipërisë. Ministri i Drejtësisë sot në raport me çështjet e drejtësisë ka funksione terësisht monitorimi të sistemit."

Nga Fieri, Manja tha se në vendin tonë pritet të mbyllen 4 institucione të vuajtjes së dënimit, ndërsa shkak për këtë vendim janë kushtet e papërshtatshme të këtyre institucioneve për të dënuarit.

"Është IEVP në Sarandë, Tropojë, Vaqarri dhe Zaharia që tashmë është institucion i mbyllur sepse po shkojmë drejt strukturave akomoduese si kjo strukturë që kemi këtu në Fier."

Ministri i Drejtësisë foli edhe për marrëveshjen e ekstradimit me Dubain, një vend ky dyshohen se fshihen dhjetëra eksponentë të rëndësishëm të krimit nga Shqipëria.

"Do të vazhdoj të kërkoj të kemi marrëveshje ekstradimi dhe bashkëpunimi në fushën e ndihmës juridiko-penale me të gjithë ato shtete ku në vlerësim të analizës të gjithë agjencive të sigurisë por edhe prokurorisë ndodhen shtetas shqiptarë që janë në konflikt me ligjin."

Manja ishte në burgun e Fierit, ku foli më gjatë për reformën në burgje dhe planin 2022-2028.

EMISIONET