“Metamorfoza”/ SPAK mbyll hetimet për Ervis Martinajn dhe Nuredin Dumanin, dosja kalon në GJKKO

Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet për fraksionin e ndarë të dosjes “Metamorfoza”, për 9 persona të pandehur, ndaj të cilëve masat e sigurisë nuk janë ekzekutuar nga Policia e Shtetit prej afro 3 vitesh.
Prokurorët Arben Kraja dhe Bledar Maksuti kanë mbyllur hetimet për Ervis Martinajn, një prej personave më të kërkuar nga drejtësia shqiptare, si dhe për Denis Bajrin, Klaodor Hakajn, Prekë Kodrën, Aleks Ndrekën, Bardhyl Mavrën, Eljon Haton dhe Arsad Bashlin.
Hetimet janë mbyllur gjithashtu edhe për Nuredin Dumanin, i cili po gjykohet edhe në kuadër të megaoperacionit “Plumbi i Artë”. Dumani ndodhet në masën e sigurisë “arrest në burg” dhe ka statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë.
Ndaj të pandehurve, SPAK ka ngritur akuza për “Vrasje me paramendim”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit dhe në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve për të kryer vrasje”, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Dosja tashmë i ka kaluar Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku pritet të hidhet shorti për caktimin e gjyqtarit që do të shqyrtojë kërkesën e prokurorisë për kalimin ose jo të çështjes në gjyq.
Nga 9 personat e hetuar, vetëm dy janë ndaluar nga autoritetet, ndërsa pjesa tjetër vijojnë të jenë në kërkim. Të arrestuarit janë Aleks Ndreka, i njohur si “Leksi i Druve”, dhe Denis Bajri, Alias “Brajovic”.

