Mbi 1 mijë banorë pa ujë prej ditësh në Pogradec, 8 fshatra të Mokrës përballen me krizë furnizimi

Mbi 1 mijë banorë pa ujë prej ditësh në Pogradec, 8

Më shumë se 1 mijë banorë në zonën e Mokrës, në Pogradec, kanë mbetur pa ujë të pijshëm prej disa ditësh. Problemi ka prekur tetë fshatra të njësisë administrative Proptisht, ndërsa temperaturat e larta të korrikut kanë vështirësuar edhe më shumë situatën për banorët.

Fshatrat Golik dhe Selcë e Poshtme janë ndër zonat ku mungesa e ujit vijon prej disa ditësh, ndërsa gjatë 24 orëve të fundit pa furnizim kanë mbetur edhe gjashtë fshatra të tjerë të njësisë Proptisht.

Banorët kanë ngritur shqetësimin për mungesën e ujit në banesat e tyre dhe thonë se kanë kërkuar vazhdimisht zgjidhje nga administrata lokale.

Sipas tyre, administratori i njësisë administrative Proptisht ka komunikuar me Ujësjellësin e Pogradecit, ku është bërë me dije se ndërprerja ka ardhur si pasojë e një defekti në linjën e furnizimit.

Megjithatë, ende nuk ka një sqarim zyrtar për natyrën e problemit dhe nëse bëhet fjalë për një dëmtim të tubacionit kryesor.

Disa banorë kanë ngritur dyshime se burimi i ujit mund të jetë devijuar nga një hidrocentral në zonën e Velçanit për furnizimin e rezervuarit, duke ndikuar në sasinë e ujit që shkon për banorët.

Ujësjellësi që furnizon zonat e Proptishtit dhe Velçanit është ndërtuar i ri rreth një vit më parë, por banorët shprehen se problemet me furnizimin janë rikthyer edhe pas këtij investimi.

Ndërkohë, banorët presin ndërhyrjen për riparimin e defektit dhe rikthimin e furnizimit normal me ujë të pijshëm.

 

EMISIONET