Kryepolici i Laçit, në burg/ “Luani i detit”, Dalipaj del tek dosja "Zagani”. Ish-oficeri kërkonte futjen e GPS-it në makina për ta gjurmuar
Gjykata e Posaçme ka lënë në burg shefin e komisariatit të Kurbinit, Dritan Metaj, i cili u prangos pasditen e djeshme si pjesë e grupit të Gëzim Çelës nga Fushë-Kuqja dhe Arben Dalipit në Vlorë.
Në seancë ai ka pranuar marrëdhëniet mes tij dhe Gëzim Çelajt, ndërsa e ka cilësuar si njohje të vjetër që nuk e mohonte dot.
Hetimet
Ndërkaq emri i vlonjatit Arben Dalipaj, përmendet në shumë raporte informative të Policisë Shqiptare dhe Guardi Di Finanza Italiane. Dalipaj është lakuar shpesh si furnitori kryesor me drogë, i trafikantëve shqiptarë.
Në Vlorë Dalipaj njihet si skafisti nr.1 ose “Luani i detit”. Mjaft i zoti për të çarë dallgët e detit dhe gëzon reputancion mes skafistëve në gjithë Shqipërinë, duke u kthyer shpesh herë dhe furnitor me drogë i disa prej grupeve kriminale mjaft të njohura në vend.
Ndërsa për policinë ai është një trafikant droge dhe maskohen me pseudonimin “Kapelja”.
Shumë operacione të policisë italiane dhe asaj Shqiptare janë kryer për kapjen e tij në det, por asnjë nuk ka mundur të ndalojë. Edhe në ndërhyrjen policore në muajin Gusht 2023, policia Shqiptare s’mundi të kapi Arben Dalipaj, i cili ndodhej teksa lundronte me gomonen e tij të ngarkuar me hashash, heroinë dhe kokainë që ishte nisur nga lugina e Patokut.
“Ora Neës” mëson se emri i Arben Dalipaj, përmendet dhe në një vendim gjyqësor të vitit 2018, ku ish-punonjësi i antidrogës Dritan Zagani është dënuar me 4 vjet e 6 muaj burgim.
Në këtë vendim të siguruar nga “Ora News” Arben Dalipaj, del gjatë dëshmisë së dhënë në gjykatë nga informatori i oficerit të policisë Dritan Zagani, shtetasi me inicialet V.Dukaj dhe gruaja e këtij të fundit, shtetësja,I.Dukaj.
Njëherësh në gjykatë Arben Dalipaj, përmendet si trafikant droge dhe nga oficeri italian i Guardi Di Finanza, Alessandro Giuliani, i cili shprehet se:
”…Arben Dalipaj e njoh. Nuk është kryer asnjë hetim nga ana italiane ose të paktën unë nuk kam dijeni. Di që ai ishte i njohur nga të dyja autoritetet, sepse ai ishte një trafikant…”.
Ndërsa bashkëpuntori i Dritan Zaganit, shtetasi me inicialet V.Dukaj, ka treguar në gjykatë se mes disa rasteve të bashkëpunimit që ka pasur me Zaganin, më është kërkuar që unë të merrja informacion edhe për persona të tjerë konkret, që ishin të dyshuar se merreshin me transport lënde narkotike.
“…nga ana e Dritanit më është kërkuar që unë ti jepja informacion atij në lidhje me shtetasin Ben Dalipaj, banor i qytetit të Vlorës, person i cili kishte lidhje bashkëshortore me mbesën e gruas time që quhet Ketrina Haruni dhe që banonte në Babicë…”-ka treguar dëshmitari në gjykatë.
Më tej ai ka treguar se për këtë çështje nga ana e Dritanit i është kërkuar që ai të bashkëpunonte edhe me një shtetas Italian, që ishte shefi i antidrogës së Pulias, që quhej Aleksandro.
“…me Aleksandron jam prezantuar nëpërmjet Dritanit, që ishte miku i tij. Prezantimi im me Aleksandrin është bërë nëpërmjet Dritanit, tek lokali Bar “Dolce Vita” me afërsi të Portit të Vlorës. Nga ana e tyre më është kërkuar që unë të merrja informacion për Arben Dalipaj si dhe për persona të tjerë që transportonin lëndë narkotike me gomone për në drejtim të Italisë. Ata me premtuan se unë do të shpërblehesha financiarisht si i infiltruar nga ana e të dy shteteve. Nga ana e Dritanit mu tregua situata se në datën 18 ose 19 Korrik të vitit 2013, nga ana e Arben Dervishaj, se kishte braktisur një gomone me drogë në brigjet e zonës së Bari-t. Për këtë rast ata më kërkuan që unë të merrja informacion tek njerëzit e mi,në lidhje me këtë ngjarje…”- ka treguar V.Dukaj.
“…nga ana ime për këtë ngjarje i është kërkuar gruas time që ajo të pyeste mbesën e saj Katerina Haruni, në lidhje me këtë ngjarje. Katerina i kishte treguar gruas time se pasi kishte mësuar këtë ngjarje, ajo ishte nisur me makinën e saj “Benz Clasi A” me targa AA 288 CR, nëpërmjet linjës së tragetit Durrës-Bari, ku me të mbritur atje ishte takuar me Arbenin, me të cilin ishte kthyer në Shqipëri nëpërmjet rrugës tokësore nga Kroacia. Këtë informacion unë pasi e sigurova ja kam treguar Dritanit, ku ai më ka takuar me Aleksandron në 5-6 raste. Gjithashtu unë me Dritanin në një rast, në janar të vitit 2014 kemi shkuar në Borsh, ku atje Dritani kërkonte të merrte informacion për lëvizjen e Arben Dalipaj me gomone për në drejtim të Italisë. Në Borsh kemi shkuar rreth orës 19:30-20:00 me makinën e tij, ku kemi bërë lëvizje të ndryshme nga vija e bregut të detit, nga vija e kufirit, në pjesë të rrugës në hyrje dhe dalje të Borshit, si dhe në pika të larta, prej nga ai shikonte dhe kontrollonte sipërfaqen e detit. Dritani më tregoj se në Borsh kishte vilën e tij edhe djali i dajos së tij nga Vlora. Kujtoj se atë mbrëmje kemi qëndruar deri në orët e mesnatës, ku gjatë kësaj kohe Dritani, ka biseduar në disa raste në telefon me Aleksandron, deri në momentin që ora ka shkuar 01:00-01:30, ku më pas jemi kthyer në Vlorë. Me qënëse nga ana e Dritanit nuk u bë e mundur identifikimi i ditës orës dhe vendit të nisjes me gomone të Arbenit, më kërkoj mendim se si mund të vendosnim një paisje GBS tek makina e Arbenit, pasi kështu do ta kishim më të lehtë kontrollin e levizjeve të tij. Më tregoj se kishte marrë dy paisje GBS (xhibijes) nga Aleksandro, të cilat do ti vendosnim njërën tek makina e Arben Dalipaj dhe tjetrën tek makina e Katerinës.Vendosja e këtyre paisjeve do të bëhej nga ana ime gjatë kohës që këta dy persona do të bënin shërbimet e mjeteve tek servisi i vëllait tim Gentjan Dukaj. Me Aleksandrin jam prezantuar 2-3 muaj pas zgjedhjeve të Qershorit 2013, dhe prej tij jam shpërblyer 4-5 raste me shuma të ndryshme 100 deri 300 euro, të cilat mi dërgonte Aleksandro nëpërmjet shërbimit “Monigram” dhe “Western Union”...”-ka treguar V.Dukaj.