Kreu i Policisë së Elbasanit: 14 operacione të zhvilluara në dy muaj, vëmendje e veçantë zonat turistike

Drejtori i Drejtorisë Vendose të Policisë Elbasan, Fatmir Hoxha, bëri sot një bilanc të punës së policisë gjatë periudhës maj-qershor 2026.

Hoxha theksoi se gjatë kësaj periudhe janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, 428 raste të veprave penale, nga të cilat janë zbuluar dhe dokumentuar 427, ose 99.76% e tyre.

Sipas ti, për këto vepra penale janë proceduar penalisht 448 shtetas, nga të cilët 63 janë arrestuar në flagrancë, 16 janë ndaluar me urdhër të Prokurorisë, 4 janë shpallur në kërkim dhe 365 janë proceduar në gjendje të lirë.

Gjithashtu ai theksoi se është zbuluar dhe dokumentuar plotësisht autorësia për 45 raste të veprave penale kundër personit dhe 47 raste të veprave penale kundër pasurisë.

Ndërkohë, sipas Hoxhës, gjatë periudhës maj-qershor janë zhvilluar 14 operacione policore, si rezultat i të cilëve janë arrestuar 16 shtetas, janë ndaluar 10 shtetas, janë shpallur në kërkim 10 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 3 shtetas.

Gjithashtu, Hoxha tha se është ekzekutuar vendimi i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për vendosjen e sekuestrove preventive mbi disa pasuri me vlerë 225 000 euro, që dyshohet se janë përfituar nga veprimtari kriminale.

“Gjatë periudhës për të cilën po raportojmë, është punuar me seriozitet edhe në drejtim të parandalimit të ngjarjeve kriminale dhe trajtimit në kohë të problematikave të ndryshme të evidentuara në territor. Në këtë kuadër, janë trajtuar dhe adresuar për zgjidhje 355 konflikte, kryesisht për motive pronësie dhe motive të dobëta, për të cilat janë kryer veprimet procedurale përkatëse”, tha ai.

Hoxha tha se, një vëmendje e veçantë iu është kushtuar pikave dhe zonave më të frekuentuara turistike të qarkut, ku gjatë muajve maj dhe qershor është evidentuar rritje e fluksit të turistëve.

“Konkretisht, Komisariati i Policisë Librazhd iu ka dhënë ndihmën e nevojshme dy turistëve, ndërsa Komisariati i Policisë Gramsh i ka shkuar në ndihmë një turisti, për problematika të hasura gjatë lëvizjes në zona malore”, tha ai.

Sa i përket sigurisë rrugore, Hoxha tha se Policia Rrugore ka evidentuar 121 raste të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.

“Gjatë kësaj periudhe, fatkeqësisht kanë ndodhur 3 aksidente rrugore me pasojë humbjen e jetës”, tha ai.

EMISIONET