Qeveria miraton marrëveshjen e sigurimeve shoqërore me Poloninë, shqiptarët fitojnë mbrojtje për vitet e punës jashtë vendit

Në përfundim të mbledhjes së qeverisë, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, komunikoi për mediat vendimet e miratuara.

Ajo u shpreh se qeveria miratoi në parim marrëveshjen për sigurimet shoqërore me Poloninë, e cila e çon në 17 numrin e marrëveshjeve të nënshkruara në këtë fushë.

“Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sot kaloi një projektvendim, që është i rëndësishëm. Është miratimi në parim i marrëveshjes për sigurimet shoqërore me Poloninë, e cila e çon numrin e marrëveshjeve të nënshkruara në 17.

Kjo është një politikë që prej vitesh ka filluar dhe është intensifikuar nga ana e qeverisë, pasi është thelbësore në mbrojtjen e të drejtave të punës. Ka qenë një problem që ndër vite është mbartur. Ne kemi firmosur dhe ratifikuar marrëveshjen me Italinë. Numri i shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në Itali është shumë i lartë.

Jemi duke vazhduar me intensitet të lartë. Janë katër marrëveshje që janë duke u negociuar dhe shumë shpejt mendojmë se do t’i sjellim në Këshillin e Ministrave për t’u miratuar dhe më pas për t’u firmosur.”, tha Ibrahimaj.

Ndërsa ministri i Financave, Petrit Malaj, tha se janë propozuar ndryshime për 3 ligje të sistemit financiar që synojnë modernizimin dhe përafrimin me legjislacionin e BE.

“Kemi propozuar ndryshime për ligjin e sistemit të pagesave, shërbimit të pagesave dhe ndryshime për bankat. Këto ligje kanë si qëllim modernizimin e sistemit aktual dhe janë në funksion të përafrimit të kuadrit ligjor me BE. Këto ndryshime i shërbejnë edhe kuadrit të negociatave që lidhet me lëvizjen e lirë të kapitalit. Ndryshimet e propozuara sjellin benefite për qytetarët, reduktim të kostove në transaksionet financiare, mbrojtje të konsumatorëve, nxit konkurrencën dhe efikasitetin”, tha Malaj.

EMISIONET