Borsh/ Vëzhguan 70-vjeçarin për dy ditë, grabitja me p*stoletë false çon 3 persona në pranga

Borsh/ Vëzhguan 70-vjeçarin për dy ditë, grabitja me

Tre të rinj janë vënë në pranga nga policia e Himarës pasi dyshohet se hynë në banesën e një 70-vjeçari në fshatin Borsh, e mbajtën me forcë dhe e kanosën me një imitues arme zjarri me qëllim grabitjen e parave.

Operacioni policor i koduar “Shuma” u finalizua pas veprimeve hetimore të nisura menjëherë pas denoncimit të të moshuarit, i cili raportoi se më 12 korrik 2026, tre persona kishin hyrë në banesën e tij dhe kishin tentuar t’i merrnin një shumë parash.

Të arrestuarit janë shtetasit E. Xh., 25 vjeç, banues në Selenicë; K. T., 23 vjeç, banues në Vlorë dhe A. C., 19 vjeç, banues në Vlorë.

Nga hetimet rezultoi se autorët e dyshuar kishin mbajtur në vëzhgim banesën e 70-vjeçarit për dy ditë para ngjarjes. Për të realizuar grabitjen, ata kishin marrë me qira edhe një automjet, i cili u sekuestrua nga policia gjatë hetimeve.

Kontrollet zbuluan gjithashtu se 19-vjeçari A. C. kishte shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të vendosur nga gjykata për një vepër penale në fushën e narkotikëve.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti tip “Mercedes-Benz”, ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe çdo përfshirje të mundshme të personave të tjerë.

EMISIONET