Rexhep Bekteshi, gjyqtari që nxorri të pastër Trifon Muratajn e kontejnerëve me dr*gë "BanaKing"

Rexhep Bekteshi është gjyqtari që la në fuqi vendimin e Prokurorisë për të nxjerrë të pastër nga skandali i dyfishtë i kokainës së përsëritur në kontejnerët me banane të "BanaKing" biznesmenin Trifon Murataj.
Për këtë të fundit u pushua çështja pasi rezultoi se 33.5 kg kokainë ishte harruar në kontejnerët e bananave të Muratajt nga trafikanët italianë që kishin marrë drogë nga Ekuadori. Ndër të tjera shkruhej se oshte vetë Murataj që kishte njoftuar drejtësinë e re se trafikantët ndërkombëtarë të drogës donin t'i bënin puçin duke kaluar drogën e tyre të bananet e tij.
Gjykata caktoi po ashtu kthimin e 30 milionë lekëve garanci pasurore të dhëna nga Murataj.
Por kush është gjyqtari Bekteshi që me vendimin kontravers për kokainën në banane ka bërë sot xhiron e titujve kryesorë të një prej ngjarjeve më të nxehta të ndodhura në vend...?
Në vitin 2019, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ndaloi kandidimin e Bekteshit për në Gjykatën Kushtetuese. Autoriteti i Dosjeve kishte konstatuar se gjatë regjimit komunist ai figuronte si hetues në një dosje ku një person akuzohej edhe për “agjitacion dhe propagandë”.
Bekteshi e kundërshtoi konstatimin, duke thënë se nuk kishte hetuar çështje politike dhe se rasti mund të kishte qenë një dosje vjedhjeje e ndërthurur me akuzën e agjitacionit dhe propagandës.
KED vlerësoi se të dhënat cenonin standardin e kërkuar të integritetit për një gjyqtar kushtetues dhe miratoi tre vendime për ndalimin e kandidimit të tij.
Në gusht 2020, Bekteshi shqyrtoi masat e sigurisë për 20 komisionerë të zonës së Shijakut, të akuzuar për manipulimin e zgjedhjeve të vitit 2017. Ai vendosi: “Arrest me burg” për 9 persona; “Arrest në shtëpi” për 8 persona; “Detyrim paraqitjeje” për 3 persona.
Vendimi u bë objekt sulmesh politike, pasi u pretendua se përfaqësuesit e partive të ndryshme nuk ishin trajtuar njëlloj.
Në vitin 2023, Bekteshit iu caktua kërkesa e Fredi Belerit për t’u lejuar të dilte nga burgu dhe të kryente betimin si kryetar i Bashkisë Himarë. Gjyqtari kërkoi të tërhiqej, duke përmendur ndër të tjera faktin se djali i tij ishte këshilltar bashkiak i një force tjetër politike dhe se kishte gjykuar më parë çështje me shtetas grekë.
Gjykata e Durrësit më pas shpalli moskompetencën dhe çështja iu dërgua Gjykatës së Lartë.

