Merz i bën thirrje Rusisë të rikthehet në tryezën e negociatave

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, i ka bërë thirrje presidentit rus Vladimir Putin të ndalojë sulmet ndaj Ukrainës dhe të rikthehet në tryezën e negociatave për t’i dhënë fund luftës.
Duke folur në një konferencë të përbashkët për media në Paris, së bashku me liderët e Francës, Ukrainës dhe Mbretërisë së Bashkuar, Merz tha se anëtarët e “Koalicionit të të Gatshmëve” kanë rënë dakord të vazhdojnë mbështetjen e fuqishme për Kievin, duke rritur njëkohësisht presionin ndaj Moskës përmes masave të reja.
“Ne po e bëjmë këtë jo për ta zgjatur luftën, por për t’i dhënë fund asaj sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Merz.
“Mesazhi ynë për Rusinë është: Është koha të vini në tryezën e negociatave, është koha të bini dakord për një armëpushim. Është koha për t’i dhënë fund gjakderdhjes së panevojshme në Ukrainë”, shtoi ai.
