Këshilltari i Xhaçkës arriti të zhvasë miliona euro, ja si Amant Josifi mashtroi mijëra gjermanë

Këshilltari i Xhaçkës arriti të zhvasë miliona euro,

Emisioni ‘Në shënjestër’, trajtoi këtë të mërkurë, dosjen gjermane të mashtrimit me call center, ku i përshirë del të jetë kompania e drejtuar nga gjeorgjiani me pasaportë izraelite Mikheil Biniashvili i njohur edhe me pseudonimin Mishka dhe Amant Josifi, dikur ish-këshilltar i Ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka dhe ish-ortaku në biznes i Olsi Ramës, vëllait të kryeministrit Edi Rama.

Nga ky mashtrim rezulton se janë zhvatur miliona euro nga llogaritë e mijëra qytetarëve në Evropë.

Mishka dhe Amant Josifi zhvendosën ushtrinë e tyre nga Shqipëria fillimisht në Maqedoninë e Veriut dhe më pas në Lituani dhe Gjeorgji, ku vazhduan aktivitetin e tyre kriminal mashtrues. Irisa Puca, e njohur ndryshe si Irisa Stone, rezulton të jetë një person i rëndësishëm në grup, i cili është përgjegjës për sigurimin e biletave. Kontrolli i postës elektronike të saj tregon se Puca ka shërbyer në vende të ndryshme për llogari të Mishkës, duke zhvilluar softuerë që më pas janë përdorur për të mashtruar qytetarët në Evropë.

Nga kontrolli i emaileve të shtetases Irisa Puca, na rezulton se ky person është përgjegjës për sistemin e biletave, që përdoret edhe për platforma të tjera.
Në dëshminë e tij Eni/ Hysen Speci, thotë se ajo ka një lloj pozicioni si drejtuese ekipi.
Po kështu rezulton se Irisa Puca, ka një numër të madh grupesh në chat që i referohen sistemeve CRM, platformave te ndryshme, domeneve, adresave IP, etj. si dhe përmbajtje të tjera teknike në këtë kontekst.

Vetëm në llogaritë e SPOT MT, autoritetet gjermane mundën të gjenin miliona euro, të cilat mendohet se i përkasin qytetarëve evropianë të mashtruar nga kjo platformë. Ka pasur edhe platforma të ngjashme të krijuara nga ‘Milton Group’, falë bashkëpunimit të Amant Josifit dhe Biniashvilit.

‘Spot MT’ është një qendër thirrjesh (Call Centre), e regjistruar në QKR.
26. Gjatë vlerësimit të kësaj kompanie u arrit të zbulohej një llogari në emër të ‘Joshua Development LTD’, ku gjatë hetimeve në lidhje me ‘Capital Markets Banc’ edhe kjo një platformë mashtrimi, u sigurua se në këtë llogari rrjedhin afërsisht 16.9 milion euro.
Llogari, në të cilën mendohet se janë mbledhur paratë e personave të dëmtuar.
Ndërsa nga viti 2017 deri në vitin 2018, po për llogari të ‘Spot MT’, me anë të transaksioneve të ndryshme, mendohet se janë futur gati 1.9 milion euro.

Duke u bazuar në gjetjet e skuadrës së përbashkët të hetimit të ‘Eurojust’ dhe ‘Europol’, thuhet se ka ekzistuar shtrirje e gjerë e këtyre platformave mashtruese, të lidhura me një server të vetëm, me përafërsisht 80 të tilla. Vetëm 40 prej tyre ishin të dedikuara për tregun gjerman. Kjo tregon për rëndësinë e tregut gjerman dhe për pasurinë e qytetarëve të saj për krijuesit e këtyre platformave.

Deri më tani në lidhje me platformat e dedikuara për tregun në Gjermani, dëmi në total përllogaritet të jetë afërsisht 10 615 852 76 euro.
Ku del qartë se Irisa Puca, ka punuar si menaxhere projekti për ‘Puma TS’, si dhe krijonte përdorues në sistemin e biletave për punonjësit e rinj të ‘Milton Group’.

Nga ku rezulton se nëpërmjet rolit të saj në ‘SM Company’ dhe ‘Puma TS’, Puca kontribuonte në mënyrë aktive në zhvillimin e platformave mashtruese, shpërndarjen te klienti dhe më pas ofrimin e produkteve financiare mashtruese për ‘klientët’ gjermanë nëpërmjet qendrave të thirrjeve në vende si Gjeorgjia, Shqipëria, Ukraina dhe Maqedonia e Veriut.

Aty ku edhe mban kontakt të rregullt me pronarin e ‘Puma TS’, Mikheil Biniashvili, ndërkohë që njerëzit e shtuar në bisedën në grup, të njohur si ekipi ‘Zoe’ ishin të vetëdijshëm për faktin se në ‘Puma TS’ po zhvilloheshin softuere që po përdoreshin për platforma me qëllim mashtrimin e njerëzve në mbarë botën.

Sipas hetimeve dhe zbulimeve të kryera nga prokurorët gjermanë rezulton se vetëm nga ‘Spot MT’, një Call Center me qendër në Shqipëri, në pronësi të Biniashvilit, u janë shitur platforma të ngjashme mashtruese, qendrave të tjera të ngjashme të Call Center.

‘Spot MT’ është një Call Center në Shqipëri, nga e cila janë shitur platforma të ngjashme mashtruese ‘CapitalMarketsBane’.
Nga kjo platformë është gjeneruar një dëm prej 1 761 624 73 euro si dhe janë dëmtuar 43 qytetarë.
Përsa i përket ‘Puma TS’ bëhet fjalë për një zgjidhje softuere, që fillimisht u projektua në Shqipëri, Lituani dhe së fundmi në Gjeorgji. Ku nga hetimet doli se ato iu shitën në mënyrë preferenciale Call Center-ave. me të vetmin qëllim vënien në funksionim të platformave mashtruese si dhe për të financuar në mënyrë të jashtëligjshme vlerat e arritura të pasurisë.
Nga konstatimet e mësipërme mund të vërtetohet që ‘Puma TS’ mund t’i atribuohen drejtpërdrejt 93 platforma që janë objekt i procedimeve penale gjermane.
Këto platform kanë gjeneruar një dëm prej 15 905 560 14 Euro dhe 509 viktima, megjithëse numri i viktimave apo masa e dëmit nuk dihet ende për një numër të madh platformash.

Një nga bindjet se personat e përfshirë në këtë aktivitet ishin të vetëdijshëm për natyrën e mashtrimit që ofronin këto platforma, janë edhe bisedat që ata kanë zhvilluar në grupet e chatit që kishin hapur, për koordinimin e punëve dhe teknikën e funksionimit të këtyre softuerëve.

Hetuesit gjermanë gjetën këto biseda duke futur në brendësi të grupit, dhe dëshmitë e njërit prej personave kryesorë të përfshirë në këtë aktivitet treguan se ata ishin të vetëdijshëm për veprimet e tyre. Ky person po shërben si bashkëpunëtor i drejtësisë gjermane në këtë rast.

Indiciet për njohuritë e personave pjesëmarrës në veprimet mashtruese dalin edhe nga transkriptimi i përgjithshëm i marrjes në pyetje të të akuzuarit Hysen Speci si edhe nga analiza e shumë bisedave në grupe në ‘Skype’, në të cilat diskutohet vetëm për makinacione të jashtëligjshme.

Ata që morën pjesë në këtë bisedë ishin të vetëdijshëm se me ‘Puma TS’ po zhvillohet një softuere që përdoret për platforma dhe se po mashtrohen njerëzit në mbarë botën.

Në krye të ‘Puma TS’ qëndron Mikheil Biniashvili, pseudonimi i Mikhael Benimini, nga ku del se Irisa Puca dhe Adrian Korriku, kanë bashkëpunuar për veprat e mashtrimit dhe kanë shkaktuar miliona euro dëme, ku vetëm në territorin e Republikës Federale Gjermane nga ky raport aktualisht rezultojnë 552 viktima në lidhje me 94 platforma dhe një dëm paraprak prej 17 667 184 87 euro.

Një aspekt interesant është transferimi i operacionit të mashtrimit nga Shqipëria në Lituani. Atje, personat e të njëjtëve, në krye me gjeorgjianin Mishka, vendosën të shtrijnë aktivitetin e tyre. Irisa Puca, e pyetur nga autoritetet gjermane, ka rrëfyer takimin që u zhvillua në Shqipëri dhe vendosjen për të zgjeruar mashtrimin përmes Call Center-ave edhe në Lituani.

Irisa Puca: Në fillim të vitit 2017 unë kam punuar në kompaninë ‘Spot MT’ në Shqipëri, ku detyra ime ishte menaxhere sistemi dhe konsistonte në krijimin e userave për punonjësit. Gjatë kësaj kohe kompania ‘Spot MT’ ka pasur menaxhere një shtetase të huaj ukrainase. Ndërsa si menaxher të përgjithshëm të kësaj kompanie i referoheshim një personi që quhej Mishka, i cili është gjeorgjian ose izraelit. Por që unë në atë kohë nuk kisha kontakte me të.

Më tej Irisa Puca rrëfeu për hetuesit gjermanë se ajo jo vetëm u rrit në përgjegjësi në vitin 2019, duke kaluar tashmë në departamentin e programimit, por gjatë këtij viti iu kërkua që të shpërnguleshin në Lituani.

Irisa Puca: Në muajin Janar të vitit 2019, unë u ngrita në detyrë, në departamentin e programimit ku pozicioni im ishte menaxhere e projektit ‘Ticket Sistem’.
Në këtë departament unë kam pasur epror të drejtëpërdrejtë shtetasin Endri Bulku. Ku gjatë këtij muaji na u shtua edhe një projekt tjetër zhvillimi që e kishte nisur Eni/ Hysen Speci.
Mbaj mend që në një mbledhje të zhvilluar në Tiranë, ku kanë qenë të pranishëm Eni Speci, Mishka, Endri Bulku dhe Erlind Çekaj, Eni dhe Mishka na treguan vizualisht projektin ‘Zhvillimi i CRM-së’. Puna ime në këtë projekt ka vazhduar deri në vitin 2022. Ndërkohë që në muajin Maj të vitit 2019 ne kemi shkuar në Lituani, ku kemi qenë afërsisht 20 persona nga zyra e programimit.

Interesante është që pasi hapën filialin në Lituani, ata vazhduan të mashtronin qytetarë të ndryshëm në Evropën Perëndimore. Irisa Puca tregoi më tej për hetuesit gjermanë se ata u zhvendosën në Gjeorgji, në kryeqytetin Tbilisi. Kjo ndodhi edhe falë suksesit që kishin arritur me kompanitë e hapura më herët në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Lituani.

Irisa Puca: Plani ynë në Lituani ka qenë të inkorporoheshim me kompaninë ‘Legal Guns’, pasi edhe ata ishin kompani programuese. Në shtator të vitit 2019, unë u largova nga Lituania dhe shkova në Gjeorgji, ku në Tbilis punova në kompaninë ‘DMG LLC’. Vajtjen në Gjeorgji ma sugjeroi Eni Speci dhe me pas Mishka me Rezzon, të cilët më thanë se në këtë vend do te krijohej një kompani më e madhe. Mbaj mend që 10 persona nga ata që ishim me punë në Lituani, shkuam më pas në Gjeorgji. Ku kam qëndruar deri në muajin janar të vitit 2021.

Lidhur me personat që ishin menaxherë dhe sipërmarrës të këtij mashtrimi, Irisa Puca thotë se ka njohur midis tyre edhe Mishkën, por nuk ka pasur asnjëherë kontakt me Amant Josifin, që konsiderohet si truri financiar i këtij mashtrimi. Josifi aktualisht ndodhet i arrestuar në Dubai dhe ka një kërkesë ekstradimi nga autoritetet spanjolle dhe shqiptare.

Irisa Puca: Pasi u ktheva në Shqipëri në janar të vitit 2021, unë fillova punë te kompania e Xhorxhia Dautit, e cila ishte kompani e nënkontraktuar nga ajo gjeorgjiane ‘DMG LLC’, ku detyra ime ka qenë programuese, dhe ku vijoja të jepja kontributin tek projekti ‘CRM’, ku edhe në këtë punë eprori im vazhdonte të ishte Eni/Hysen Speci. Lidhur me shtetasin Amant Josifi, e njoh vetëm nëpërmjet lajmeve në media, por nuk kam pasur komunikime me të. Ndërsa shtetasin Adrian Korriku e njoh pasi është bashkëjetuesi im që nga muaji Maj i vitit 2019 dhe deri më tani, ku nga kjo periudhë dhe në vijim ne kemi punuar së bashku në Lituani, Gjeorgji dhe tek Xhorxhia Dauti në Shqipëri në rolin e programuesve.

Gjatë intervistimit të saj, Irisa Puca dha dëshmi interesante edhe mbi njohjen që ajo kishte me Mikheil Biniashvilin, i cili njihet me emrin Mishka. Po ashtu, ajo tregoi edhe emrat e dytë që ata përdornin për të hyrë në kontakt me klientë të ndryshëm. Pasi klientët i fusnin në rrjet, u krijoheshin portofole dhe më pas ata i mashtronin nëpërmjet këtyre softuerëve.

Irisa Puca: Mishka, ishte epror mbi eprorët. Ai ishte rreth 50 vjeç, me pak flokë, me gjatësi mesatare, me trup normal, me origjinë izraelite ose gjeorgjiane dhe jetonte në Gjeorgji.
Për herë të parë unë Mishkën, e kam parë në Janar vitit 2019, kur është diskutuar për ‘CRM’.
Më tej e kam parë më shpesh në Gjeorgji. Gjatë punës ai ishte më i afërt me Eni Specin.

Unë kam pasur komunikime të drejtpërdrejta me email me Mishkën. Kur fillova punë në vitin 2017 në ‘Spot MT’, Mira e cila ishte menaxhere e departamentit ‘Back Office’, më tha që të zgjidhja një ‘nick name’. Dhe unë përzgjodha Iris Stone që në atë kohë. Ndërsa Endri Bulku kishte emrin e dytë Andree Bullak, Elind Çekaj mbante emrin Ryan Gossling.

Irisa Puca mohoi gjatë dëshmisë se ajo kishte përdorur aftësitë e saj profesionale për të mashtruar qytetarët në Evropë përmes këtyre platformave. Ajo tha se këto aftësi mund të ishin shfrytëzuar për qëllime të tjera nga personat me të cilët ka bashkëpunuar. Në lidhje me këtë skemë mashtrimi, u pyet edhe shtetasi Adrian Korriku, i cili rezulton të jetë bashkëjetuesi i Irisa Pucës dhe një nga programuesit e këtyre softuerëve.

Adrian Korriku: Mishkën unë e kam parë për herë të parë gjatë punës në Gjeorgji në rolin e një personi të rëndësishëm, por unë nuk kisha kontakte pune të drejtëpërdrejta me ta. Gjatë kohës që kam punuar në Lituani unë isha mirëmbajtës i programit ‘CRM’ dhe se ‘Puma TS’ ishte emri i projektit të këtij programi. Unë kam punuar tek pjesa e ‘CRM’ në fillim por jo për programues për kazinotë apo për crypto-change.

Megjithatë autoritetet ligjzbatuese kanë krijuar bindjen e tyre se janë përballë një mashtrimi kibernetik me përmasa të jashtëzakonshme dhe se këta persona qoftë edhe në formën e suportit teknik, kanë vënë në shërbim njohuritë e tyre për të krijuar platforma që më thelb kishin zhvatjen e qytetarëve evropianë.

Zyra e Krimeve të Austrisë së Sipërme është duke hetuar për fakte të mashtrimit kompjuterik për arsye të përfitimit.
Veprimtari prej të cilës mendohet se u është shkaktuar një dëm në vlerën 504 429 00 euro, shtetasve të ndryshëm në Austri dhe jashtë saj.
Nga hetimet del se përmes kësaj veprimtarie kriminale këta persona u nxitën nga autorët të konsideronin investimin e pasurive të tyre në një mënyrë fitimprurëse, përmes reklamave në internet dhe në rrjetet sociale.
Ku më pas u janë përvetësuar shuma të ndryshme parash që gjoja do të investoheshin prej tyre, me aksione dhe valuta të kriptuara.

Sipas hetuesve që janë marrë gjatë me këtë punë, karremi fillimisht është besimi që këta brokera duhet të fitojnë të klienti dhe më pas bindja që duhet të krijojnë te ta, që këta të fundit, të investojnë dhe t’u besojnë numrat e llogarive.

Fillimisht viktimat tundohen të investojnë në sasi të vogla me premtimin se ‘broker-i/ndërmjetësi’, i pretenduar i faqes së investimeve, do të realizonte një fitim të madh me investimin e aksioneve dhe valutave të kriptuara.
Gjatë këtij procesi, viktimat krahas fotokopjeve të pasaportës iu dërgonin autorëve edhe fatura për të provuar vendbanimin dhe lejonin hyrjen në pajisjet e tyre elektronike përmes një softuare të mirëmbajtjes në distancë.
Qëllimi i grumbullimit të të dhënave është krijimi i llogarive të përdoruesve në platformat e këmbimit të monedhave të kriptuara.
Pas regjistrimit të suksesshëm në platformën e këmbimit, nën pretendime të rreme viktimat nxiteshin që t’i transferonin këto shuma.
Në këtë moment autori i komunikon viktimës IBAN-in e platformës së këmbimit të valutës së kriptuar të përzgjedhur më parë, për ta bërë të besueshme se shumat e paguara do t’i përcillen operatorëve të platformave të investimeve.

Këta klientë nuk u pasuruan siç mendonin, por përfunduan të zhvatur deri në një pikë pa kthim, duke u detyruar të drejtohen organeve ligjzbatuese në vendet e tyre përkatëse për ndihmë. Amant Josifi, një person kyç në këtë histori, u ndalua në Dubai më datë 6 shtator 2023 pasi ishte shpallur në kërkim nga autoritetet spanjolle për mashtrimin e 17 mijë shtetasve nga vendet e Bashkimit Europian.

Megjithatë, më pas ai u la i lirë, dhe avokati i tij tha se nuk kishte asnjë masë sigurimi ndaj tij, deri në pritje të kërkesës për ekstradim nga gjykata e La Seu. Pyetja mbetet se a do të mund të qëndrojë në liri, apo Spanja do të bëjë të mundur ekstradimin e tij.

EMISIONET