KATËR GRA TË VR*RA NË 2026/ Tre prej v*ktimave u vr*në nga bashkëshortët, një nga vajza e saj
Vrasja e Bardhe Ziçit në Shkodër e çon në katër numrin e grave të vrara në Shqipëri gjatë gjysmës së parë të vitit 2026, ku në tre raste autorë janë bashkëshortët e viktimave. Pas tetë grave të vrara në vitin 2025, rastet e këtij viti rikthejnë alarmin për dhunën vdekjeprurëse brenda familjes.
Bardhe Ziçi, 55-vjeçarja që u vra me armë gjahu nga bashkëshorti i saj në Shkodër, është gruaja e katërt që humb jetën në rrethana të dhunshme në Shqipëri gjatë këtij viti
Katër ngjarje të ndodhura brenda gjashtë muajve kanë rikthyer në vëmendje dhunën që vazhdon të marrë jetën e grave, kryesisht brenda mureve të shtëpisë.
Seria e këtyre krimeve nisi më 2 janar në Orikum.
Sose Xhebroj, 48 vjeç, u dhunua për vdekje nga bashkëshorti i saj, Llogora Xhebroj, i cili më pas i dha fund jetës me armë zjarri. Sipas hetimeve, çifti ishte në proces divorci pas konflikteve të vazhdueshme.
Rasti i dytë u regjistrua më 24 mars në Roskovec. Dashuri Rrapaj, 75 vjeçe, u vra me armë zjarri nga bashkëshorti i saj, i cili më pas u vetëvra.
Më 6 qershor, një tjetër ngjarje tronditi vendin. Në Fushë-Mamurras, 85-vjeçarja Dave Shpani humbi jetën pasi u godit me thikë nga vajza e saj gjatë një konflikti familjar.
Ndërsa më 9 korrik, Bardhe Ziçi u qëllua për vdekje me armë gjahu nga bashkëshorti. Edhe në këtë rast, sipas hetimeve paraprake, krimi ndodhi pas një konflikti në familje.
Gjatë vitit 2025, në Shqipëri u raportuan 8 gra të vrara, ndërsa katër raste janë regjistruar vetëm në gjysmën e parë të vitit 2026.
Në tre nga katër krimet ku viktima kanë qenë gra, autorë janë bashkëshortët e tyre, ndërsa të gjitha rastet kanë ndodhur në ambiente familjare.
Sipas një raporti viti 2021 deri në 2024, në vend janë vrarë 37 gra dhe vajza. 27 prej tyre janë vlerësuar si femicide

