BEKTASHIZMI, PERSEKUTIM E MBIJETESË/ Konferencë shkencore në Selinë e Shenjtë pas 200 vitesh

Me rastin e 200-vjetorit të persekutimit të bektashizmit nga Sulltan Mahmudi II, Kryegjyshata Botërore Bektashiane organizoi një konferencë shkencore kushtuar historisë së persekutimit dhe mbijetesës së këtij komuniteti fetar ndër shekuj. Aktiviteti i zhvilluar në Selinë e Shenjtë  mblodhi personalitete të jetës fetare e akademike, të cilët sjellin në vëmendje periudhat më të rëndësishme të historisë së bektashizmit.

Dy shekuj pas fermanit të Sulltan Mahmudit II, që në vitin 1826 urdhëroi mbylljen e teqeve bektashiane dhe nisjen e një prej periudhave më të vështira për këtë komunitet fetar, Kryegjyshata Botërore Bektashiane organizon konferencën shkencore me temën "Vështrim i persekutimit bektashian në shekuj dhe mbijetesa".

Veprimtaria u zhvillua në ambientet e Odeonit në Selinë e Shenjtë dhe synon të sjellë në qendër të vëmendjes historinë, sfidat dhe qëndresën e bektashinjve përgjatë periudhave të ndryshme historike.

Punimet e konferencës u hapën nga Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, me kumtesën "Drita që nuk u shua", kushtuar 46-vjetorit të kalimit në amshim të Kryegjyshit Botëror Dede Ahmet Myftarit.

Në vijim, studiues dhe akademikë trajtuan tema që lidhen me konfliktet e para të bektashizmit në Perandorinë Osmane, fermanin e vitit 1826, përndjekjen e bektashinjve shqiptarë gjatë viteve 1912–1915, mbylljen e Qendrës Botërore Bektashiane në vitin 1925, si edhe persekutimin e klerit bektashian gjatë regjimit komunist në vitet 1945–1990.

Pjesëmarrësit kishin mundësi të vizitonin edhe fotoekspozitën "Vështrim i persekutimit bektashian dhe mbijetesën në shekuj", e cila dokumenton përmes fotografive dhe materialeve historike rrugëtimin e bektashizmit nga periudhat e përndjekjes deri në konsolidimin e tij si një nga komunitetet më të rëndësishme fetare në Shqipëri.

EMISIONET