Taylor Swift përlotet në skenë: Prindërit janë arsyeja e suksesit tim!

Një nga momentet më emocionuese në karrierën e Taylor Swift u regjistrua në New York, ku artistja u përlot gjatë fjalimit të saj në ceremoninë e përfshirjes në Songwriters Hall of Fame.
Fituesja e shumë çmimeve Grammy u bë gruaja më e re që futet në këtë institucion prestigjioz, duke shtuar një tjetër arritje të rëndësishme në karrierën e saj të jashtëzakonshme.
E shoqëruar nga i fejuari i saj, Travis Kelce, Swift u ngjit në skenë pas një prezantimi nga regjisori legjendar Steven Spielberg.
Gjatë fjalimit 21-minutësh, këngëtarja foli me emocione për sakrificat e prindërve të saj, Andrea Swift dhe Scott Swift, të cilët lanë gjithçka pas për ta ndihmuar të ndiqte ëndrrën e saj muzikore.
“Për mua ishte e lehtë të zgjidhja shkrimin e këngëve mbi çdo gjë tjetër në jetën time. Por nuk mund të ketë qenë e lehtë për familjen time të zhvendosej nga Pensilvania në Nashville”, u shpreh ajo.
Teksa iu drejtua prindërve të ulur në sallë, Swift nuk i mbajti dot lotët. Artistja falënderoi familjen për mbështetjen e pakushtëzuar, duke theksuar se ata janë arsyeja kryesore e suksesit të saj.
Ajo zbuloi gjithashtu se kishte zgjedhur vetë Steven Spielberg për ta prezantuar në ceremoni dhe mbeti e surprizuar kur regjisori pranoi menjëherë ftesën.
Ceremonia shënoi një tjetër moment historik për Taylor Swift, e cila prej më shumë se dy dekadash ka ndërtuar një nga karrierat më të suksesshme në industrinë muzikore, duke e kthyer shkrimin e këngëve në identitetin e saj më të fortë artistik.

