Gazetari që mbulonte kronikën e zezë humb jet*n pas një sulmi në Meksikë!

Një gazetar është vrarë nga persona të armatosur në shtetin e Veracruzit, në lindje të Mexico, në një ngjarje që ka rikthyer shqetësimet për sigurinë e punonjësve të medias në vend.
Viktima është identifikuar si Luis Angel Lopez Valdez, i cili mbulonte çështjet e policisë dhe gjykatave për gazetën lokale “Vanguardia de Veracruz”.
Sipas raportimeve, ai u sulmua nga persona të armatosur teksa po lëvizte me automjet në zonën Colonia Cazones të qytetit të Poza Rica.
Gazeta ku punonte Lopez Valdez konfirmoi lajmin përmes një deklarate në rrjetet sociale, duke bërë thirrje për drejtësi dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Drejtuesit e medias kërkuan që autorët e krimit të identifikohen dhe të vihen përpara drejtësisë.
Autoritetet meksikane kanë njoftuar se kanë nisur hetimet për vrasjen, ndërsa rrethanat dhe motivet e sulmit mbeten ende të paqarta.
Veracruz konsiderohet një nga rajonet më të rrezikshme për gazetarët në Meksikë, ku gjatë viteve të fundit janë regjistruar dhjetëra sulme ndaj përfaqësuesve të medias.
Sipas Reporters Without Borders, Meksika mbetet një nga vendet më vdekjeprurëse në botë për gazetarët, me mbi 150 të vrarë që nga viti 2000 dhe dhjetëra të tjerë të zhdukur.

