SPAK lëshoi urdhër-arrest ndaj tij, Ilir Shtufi arrestohet në Greqi

Ilir Shtufi, ndaj të cilit SPAK kishte lëshuar një urdhër-arrest është arrestuar ditën e sotme në Greqi. Shtufi akuzohet për pastrim parash, ndërsa ka qenë aktiv në fushën e ndërtimit.
Dyshohet se Ilir Shtufi bashkëpunonte me një grup të trafikut të lëndëve narkotike, i cili drejtohej nga dy vëllezërit Koçeku nga Kamza, duke iu pastruar paratë e fituara nga trafiku i drogës.
Ngjarja:
Rreth 100 milionë euro vlerësohet paraprakisht vlera e pasurive që iu sekuestruan nga SPAK anëtarëve të dy grupeve kriminale të trafikut të drogës dhe pastrimit të parave përmes investimeve, kryesisht në ndërtim, por edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë shqiptare.
Paratë, sipas hetimit të Prokurorisë së Posaçme, janë produkt i veprimtarisë së trafikut ndërkombëtar të drogës nga grupet kriminale të drejtuara nga Alfredo Hamzaj dhe Luçiano Koçeku, të shtrira nga Amerika Latine drejt Evropës.
Të ardhurat e veprimtarisë kriminale, sipas hetimit të SPAK-ut, pastroheshin më pas nga biznesmeni Ilir Shtufi, i njohur si pronar i një rrjeti kompanish dhe i përfshirë në ndërtime të mëdha në kryeqytet, si dhe nga Artur Shehu, i cili kohët e fundit ka qenë në qendër të vëmendjes për çështjen e pronësisë së tokës ku pritet të ndërtohet një kompleks turistik në Zvërnec të Vlorës.
Të paktën 181 pasuri, që përfshijnë prona, llogari bankare dhe kompani, i janë sekuestruar biznesmenit Ilir Shtufi dhe anëtarëve të familjes Koçeku.
Sipas SPAK-ut, pasuritë përfshijnë apartamente, vila, troje, garazhe, ambiente biznesi, aksione në kompani ndërtimi dhe dhjetëra llogari bankare, të cilat dyshohet se janë krijuar ose përdorur për pastrimin e të ardhurave nga trafiku ndërkombëtar i drogës.
Këto pamje, ndërkohë, tregojnë bllokimin e biznesit të makinave luksoze me qira “Top Seven”, për të cilin SPAK dyshon se është në pronësi të biznesmenit Orgest Birçaj, i cili po ashtu akuzohet si pjesë e skemës.
SPAK ka vënë në sekuestro 352 milionë lekë në llogaritë e Artur Shehut, Malvina Canajt, Xhesila Dodës dhe Erinda Asllanit, vlerë e përfituar nga shpronësimi i një trualli me sipërfaqe 5,269 m² në rrugën “Dervish Hima”.
Po ashtu, Artur Shehut i janë sekuestruar 480 mijë euro në llogari nga shitja e tre vilave dhe 3.8 milionë euro në llogaritë e kompanisë “Adhenis” sh.p.k., në pronësi të tij.
Vila dhe pasuri të tjera u janë sekuestruar edhe Erjon dhe Ardian Ramës, nipër të Fatmir Ramës, i njohur ndryshe si “Miri i Xhikës”, i vrarë në biznesin e kartodromit në vitin 2003.


