"I jemi drejtuar SPAK", Kaso: Korrupsioni në zgjedhje i lartë, shteti ishte në dispozicion të makinerisë së pushtetit

Sekretari për çështje zgjedhore në Partinë Demokratike Ivi Kaso i ftuar në studion e Ora News përsa i përket procesit zgjedhor është shprehur se PD është duke përgatitur një dosje me të gjitha parregullsitë e vërejtura, të cilat do t'i vërë në dispozicion të  organeve ligjore.

Kaso u shpreh se shteti ishte shkrirë me makinerinë e pushtetit gjatë fushatës zgjedhore dhe manipulimi shantazhi dhe presioni kanë qenë në nivele të larta.

Përsa i përket rezultatit të 25 prillit, Kaso tha se ai është ende një rezultat paraprak dhe për të qenë përfundimtar duhet të kalojë nëpër filtrat e institucioneve.

Si e keni parë votën e qytetarëve për t'i dhënë mandatin e tretë kryeministrit Rama?

Kaso: "Do doja të ndalesha te parregullsitë e shumta të procesit zgjedhor, si në fazën përgatitore, edhe në fazën e zhvillimit dhe të numërimit të votës. Kemi parë një proces zgjedhor të karakterizuar nga shkelja flagrante e atij çka ka qenë shqetësim i shprehur edhe në raportet e OSBE/ OHDIR për zgjedhjet në Shqipëri. I gjithë shteti u vu në shërbim të fushatës elektorale. Ka pasur një shkrirje të shtetit me makinerinë e pushtetit, me mazhorancën e cila vuri në përdorim të fushatës së saj elektorale çdolloj resursi dhe burimi shtetëror."

Ku e kuptuat ju ?

Kaso: "Kjo është kuptuar që në përgatitjen e procesit zgjedhor dhe jo pa arsye ne kemi bërë denoncime. Janë më shumë se 40 kallëzime që i janë drejtuar SPAK.

Kemi shkelje t rënda të cilat nuk janë vetëm pretendime të opozitës, por janë të konstatuara dhe nga palë të treta dhe veçanërisht nga faktori ndërkombëtar.

Ne nuk kishim asnjë iluzion që makineria e shtetit të vihej në dispozicion të shtetit dhe të partisë në pushtet, por pavarësisht kësaj kemi ende pritshmëri që qytetarët me votën e tyre do dinin të ishin zorët të fatit të vet.

U pa që manipulimi, shantazhi, presioni ka qenë në nivele akoma më të larta sesa ato që ishin pjesë e dukshme gjithë abuzimit, pjesën tjetër të padukshme ende jemi duke mbledhur prova dhe duke përgatitur një dosje përkatëse që do t'i vihet në dispozicion të gjitha institucioneve ligj-zbatuese."

Çfarë prisni në momentin që do ta keni gati dosjen ?

Kaso: "Ka qenë  një proces zgjedhor tërësisht i deformuar nga ndërhyrja dhe nga shkrija e shtetit me mazhorancën në pushtet. Kjo është e ndaluar nga pikëpamja zgjedhore dhe kriminale nga pikëpamja penale. Detyrimi ynë është të bëjmë qartësi, detyrimi ynë është të mbledhim prova dhe t;i vëmë në dispozicion të ligj-zbatuesve.

Pas kësaj, do të shihet dhe masa e reagimit dhe çfarë do të prodhojë kjo."

Do t'i njihni zgjedhjet e 25 prillit?

Kaso: "Ende është një rezultat paraprak dhe derisa të bëhet rezultat përfundimtar duhet të kalojë nëpër filtrat e institucioneve. Është ende herët për të folur se si do të jetë rezultati përfundimtar për sa kohë që janë ende 2 filtra për t'u kaluar."

Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti për online Xhuliana Zhuleku

 

 

 

 

 

 

 

 

 

EMISIONET