HETIMET PËR PRITËN/ Rindërtohet skena e krimit: Valter Lleshi u ekzekutua nga afër, dyshime për ...

Valter Lleshi, i cili u ekzekutua të hënën në Mirditë, dyshohet se është ndjekur nga ekzekutorët që i ngritën pritë në një rrugë jo shumë të frekuentuar në zonën e Repsit.

Veprimet hetimore dhe dëshmitë kanë ndihmuar grupin hetimor të rindërtojë lëvizjet e 45-vjeçarit para se të bëhej shënjestër e sulmit që i mori jetën në aksin Reps–Spaç.

Rezulton se Valter Lleshi kishte dalë nga banesa e tij në qytetin e Rrëshenit rreth orës 06:00 të mëngjesit dhe, bashkë me një koleg, ishte nisur drejt kompanisë së bazaltit në Reps, ku punonte.

Vetëm pak kilometra larg vendit ku iu bë pritë, kolegu ka zbritur në një lokal, ndërsa 45-vjeçari rezulton se ka vijuar i vetëm rrugën.

Dyshimet e grupit hetimor janë se ai ka qenë nën ndjekje që nga momenti kur ka dalë nga banesa dhe se ekzekutori ose ekzekutorët janë njoftuar për lëvizjet e tij.

Prita që rezultoi vdekjeprurëse ishte ngritur në një kthesë, duke mos i dhënë Valter Lleshit mundësi për t’u larguar.

Sipas rindërtimit të ngjarjes, autori ka qëlluar nga një distancë e afërt dhe ka shkrepur breshëri plumbash ndaj 45-vjeçarit, i cili ka marrë goditje vdekjeprurëse në kokë dhe trup.

Skema, por edhe sulmi i dhunshëm, tregojnë se ekzekutorët kanë vepruar për të qenë të sigurt se shënjestra nuk do të mbijetonte, çka forcon dyshimet për një krim me motive hakmarrjeje.

Në kërkim të autorëve dhe motivit të vrasjes, policia mësohet se ka marrë në pyetje disa persona, por deri më tani deklarimet nuk kanë ndihmuar shumë hetimin.

Paralelisht, grupi hetimor ka ushtruar kontrolle dhe po verifikon pamjet e kamerave të sigurisë përgjatë rrugës që përshkoi 45-vjeçari para atentatit.

Një nga pistat që po verifikohet lidhet me dyshimin se Valter Lleshi mund të ketë qenë i përfshirë në vrasjen e taksistit Anton Keli në vitin 2020 në Rrëshen.

Për këtë ngjarje, 45-vjeçari është marrë në pyetje, por policia dhe Prokuroria nuk arritën të siguronin prova për t’i ngritur akuzë.

EMISIONET