VIDEO/ “Kodi sekret” i Japonisë bëhet viral, Moriyasu surprizon me strategjinë e veçantë në Botëror

VIDEO/ “Kodi sekret” i Japonisë bëhet viral, Moriyasu

Një nga momentet më të komentuara të ndeshjes mes Japonisë dhe Holandës, e mbyllur me rezultatin 2-2, nuk lidhej me golat apo rastet e krijuara, por me një veprim të pazakontë të trajnerit japonez, Hajime Moriyasu.

Tekniku 57-vjeçar tërhoqi vëmendjen e tifozëve dhe mediave në mbarë botën pasi u shfaq pranë vijës anësore me një tabelë të madhe ku shfaqeshin vazhdimisht numra të ndryshëm. Pamjet u përhapën me shpejtësi në rrjetet sociale, duke e kthyer metodën e tij në një nga temat më virale të ditës.

Sipas raportimeve, numrat e paraqitur në tabelë përfaqësojnë udhëzime taktike të koduara, të njohura vetëm nga futbollistët japonezë. Në këtë mënyrë, stafi teknik arrin të komunikojë me ekipin në kohë reale pa rrezikuar që kundërshtarët të kuptojnë strategjinë e tyre.

Sistemi nuk shërben vetëm për të kapërcyer zhurmën e stadiumit, por konsiderohet një “kod sekret” i mirëfilltë taktik. Edhe pse numrat mund të shihen qartë nga të gjithë në stadium, kuptimi i tyre mbetet i fshehtë për ekipet rivale.

Në minutat e fundit të takimit, tabela u përdor edhe për të treguar kohën e mbetur shtesë, duke funksionuar si një numërim mbrapsht drejt fundit të ndeshjes. Veprimi u interpretua si një tjetër dëshmi e përgatitjes së detajuar të Japonisë, e cila synon të mos lërë asgjë në dorë të rastësisë gjatë Kupës së Botës.

Moriyasu drejton përfaqësuesen japoneze që prej vitit 2018 dhe konsiderohet një nga trajnerët më të suksesshëm në historinë moderne të futbollit japonez. Ish-mesfushori, i cili ka regjistruar 35 paraqitje me kombëtaren, fitoi tre tituj kampion me Sanfrecce Hiroshima në vitet 2012, 2013 dhe 2015.

EMISIONET