FOTO-ALBUMI/ 21 Qershor 2020, Dita e “Shtegut të Ngjyrave” - Që ndryshoi faqe historie për vendasit

20 dhe 21 Qershori 2020 do të mbeten për mua ndër ditët më të veçanta dhe më të bukura të jetës sime.
Së bashku me mikun tim Afrim Tahiraj, fotograf dhe inxhinier në profesion, me të cilin na lidh një miqësi e gjatë, vendosëm të ndërmerrnim një udhëtim drejt një prej destinacioneve që e kishim planifikuar prej kohësh për ta eksploruar më në thellësi.
Udhëtimi ynë nisi nga fshati Shishtavec i Kukësit, duke vazhduar drejt Çajës dhe më pas drejt Radomirës. Ishte një rrugëtim i gjatë, dy ditor, që kërkonte edhe organizim të kujdesshëm, pasi nuk kishim shumë informacion për akomodimin apo bujtinat në zonë. Për këtë arsye, vendosëm të kontaktonim edhe shtëpi mikpritëse dhe të merrnim me vete disa miq nga Tirana.
Nga Maja e Kalabakut, u futëm në një itinerar të ri drejt Çajës — një zonë që, edhe pse e kisha parë më parë nga maja, nuk e kisha eksploruar kurrë në brendësi të saj.

Ajo që na u shfaq ishte një parajsë e vërtetë alpine: fusha të mbuluara me lule shumëngjyrëshe, livadhe të gjera alpine dhe burime të vogla uji që zbresnin natyrshëm nëpër përrenj, duke i dhënë jetë gjithë peizazhit. Një bukuri e egër, e paprekur, ku gjithçka dukej sikur ishte krijuar pa ndërhyrje njerëzore.
Mot i butë, me re dhe dritë të shpërndarë, e bënte çdo shkrepje fotografie të dukej natyrale, pa nevojë për asnjë filtër — thjesht mrekulli.
Pas rreth 6–7 orësh ecjeje, mbërritëm në fshatin Çajë, më saktë në lagjen e parë Sheheleret e Çajës Aty u pritëm nga banorët vendas, me të cilët ndamë biseda mbi historinë e fshatit dhe jetën në këtë zonë alpine. Kur pyeta “Çfarë është kjo mrekulli?”, përgjigjja e tyre e thjeshtë dhe me buzëqeshje ishte: “Është shtëpia jonë, por me shumë sfida.”

Një banor rreth 80-vjeçar na tregoi se në të kaluarën, zona e Çajës kishte pasur deri në 20–30 mijë krerë bagëti, duke dëshmuar një histori të pasur blegtorale dhe jetese malore.
Më pas u takuam me Ardianin, një prej banoreve qe sot drejton një guesthouse në Çajë, i cili na mikpriti së bashku me familjen e tij tradicionale. Ajo natë e kaluar mes mikpritjes çajane, ushqimit tradicional dhe ngrohtësisë familjare mbetet një nga kujtimet më të paharrueshme të këtij udhëtimi.

Aty, mes bisedave dhe fotografive, nisi edhe ideja për emërtimin e këtij shtegu. Në atë hapësirë ku lulëzonin dhjetëra lloje lulesh në vetëm një metër katror — rreth 20 lloje të ndryshme — lindi natyrshëm ideja për ta quajtur “Shtegu i Ngjyrave”.
Brenda pak javësh, ky emër filloi të marrë jetë dhe të kthehet në një destinacion të njohur, duke tërhequr gjithnjë e më shumë vizitorë të interesuar për të parë nga afër këtë parajsë alpine.
Sot, pas gjashtë vitesh, zona është zhvilluar më tej, me prezencën e kuajve gjysmë të egër që lëvizin lirshëm nëpër kullota alpine, të cilët banorët i menaxhojnë në mënyrë tradicionale për t’i mbrojtur nga grabitqarët dhe për të ruajtur ekuilibrin natyror të zonës.
Kështu, Shtegu i Ngjyrave është shndërruar në një nga destinacionet më të veçanta turistike të veriut të Shqipërisë — një histori që lindi nga një udhëtim, nga një miqësi dhe nga dashuria për natyrën e paprekur.


