Harrohet Arshilengo, fshati në Gjirokastër i braktisur, pa rrugë e transport
Është vetëm 4 kilometra larg Gjirokstërës, por fshati Arshilengo nuk ka pasur kurrë vëmendjen e pushtetit lokal.
Rruga kryesore është dëmtuar. Në të nuk është vënë dorë prej vitesh.
U kanë premtuar zgjidhje por fjalën e dhënë në prag zgjedhjesh nuk e kanë mbajtur.
"Vijnë zgjedhjet, vjen kryetari i Bashkisë. Premton, asnjë zgjidhje s'na jep," tha një banor.
Pavarësisht kërkesave të banorëve në fshat nuk është vendosur ndonjë mjet për transportin publik. Më shumë vështirësi hasin të moshuarit të cilët detyrohen ta përshkojnë rrugën në këmbë.
"U bllokova, më zihet fryma. Çfarë të bëj, ti bie murit me kokë? Si bie dot. Më mirë me këmbë," thotë një e moshuar.
Mungesa e investimeve dhe pamundësitë ekonomike i kanë detyruar banorët ta braktisin Arshilengon.
"Çfarë do të bëjmë ne. Çafrë do hajë fëmija këtu. Unë i kam të larguar.
Brezat e rinj kanë ikur. Kisha një djalë dhe iku në Itali," thonë ata.
Ata që kanë mbetur, shumica në moshë të madhe thonë se nuk mbështeten e ndihmohen nga shteti.
"Asnjë lloj gjëje. Do tu japim subvencione thonë," thotë ai.
Janë të shumtë fshatrat në Shqipëri, banorët e të cilëve janë larguar për shkak të mungesës së kushteve bazë.


