Gjobat e Shtufit i paguante Artur Koçeku/ Zbulohet lidhje e trafikantit të dr*gës me bosin e ndërtimit

Biznesmeni Ilir Shtufi, i cili ndodhet në kërkim nga SPAK, rezulton të jetë në lidhje të ngushtë me Artur Koçekun, i cili SPAK thotë se ishte një nga personat që merrej me trafik droge. Në dosjen hetimore rezulton se lidhja e tyre është provuar edhe nga bashkëpunëtori i drejtësisë Erjon Alibej, i cili tregon se Koçeku e ndihmonte Shtufin për të larë borxhet.
Nga hetimet ka rezultuar se personi nën hetim Luciano Koçeku ka vijuar pastrimin e të ardhurave të përftuara nga trafiku i lëndëve narkotike përmes industrisë së ndërtimit, duke përdorur personin nën hetim Ilir Shtufi (i njohur më herët në fushën e ndërtimit), të cilit i referohet "ortaku im" dhe se njihet edhe prej lidhjeve të tij në aktivitetin e narkotikëve si "ortaku lokut", si edhe të mësuar edhe deklarimin e datës 03.04.2026 si person që ka dijeni i shtetasit Erion Alibej, dëshmitar i drejtësisë, i cili në marrjen në pyetje, ndër të tjera, ka deklaruar se lidhur me personin nën hetim Ilir Shtufi (e njeh si biznesmen, njohje kjo e cila është kryer me pikë kontakti Artur Koçekun, pasi Arturi në shumicën e kohës qëndronte me Ilir Shtufin), dhe se për të ka mësuar se ai ishte një biznesmen i hershëm në fushën e ndërtimit, para se të njihesh me Artur Koçekun, fakt të cilin deklaron se ka dijeni pasi ka qëndruar në bisedat e tyre të përbashkëta.
Sipas tij, Ilir Shtufi, në periudhën që ka lidhur shoqëri me Artur Koçekun, ka pasur rritje të aktivitetit të tij ekonomik, ku bën me dije se më parë ka pasur borxhe, të cilat i ishin vendosur nga persona të ndryshëm (të cilët nuk i mban mend), si edhe ka pasur probleme me shitje të pasurive nga dy herë, si edhe borxhe për mospagesë të lëndëve të para të ndërtimit (subjekte konkrete për të cilat deklaron se nuk i mban mend), dhe se sipas tij në këtë kohë shtetasi Artur Koçeku i është afruar edhe e ka ndihmuar me shuma monetare cash, duke mundur të paguajë borxhet e mospagesave të faturave, të mbyllë problemet me drejtësinë për apartamentet/dyqanet që i shiste dy herë dhe emri i Arturit të largojë gjobëvënësit, fakt të cilin ka deklaruar se e ka mësuar nga diskutimet e shoqërisë së përbashkët, por edhe në komunikimet e tij me Arturin.
Në vijim, dëshmitari i drejtësisë Erion Alibej ka deklaruar se lidhur me lidhjen e Arturit (Luciano Koçeku) me shtetasin Ilir Shtufi në ndërtimet e kryera, ia ka komunikuar edhe personalisht Artur Koçeku se po investonte në ndërtim me të, dhe se në bashkëpunim me të, duke e financuar cash në shuma monetare të larta, fakt për të cilin ka dijeni edhe shoqëria e përbashkët, pasi Artur Koçeku sillej si një pronar në objektet që ndërtoheshin nga Ilir Shtufi, si edhe për faktin se më vonë këta persona dhe të tjerë të përfshirë në trafikun e narkotikëve kanë futur lekë cash tek Ilir Shtufi në objekte të caktuara të ndërtuara prej tij.

