FOTO/ Sulmohet analisti Ilir Demalia pranë banesës së tij, policia shpall autorin në kërkim. Ja shkaku i konfliktit sipas gazetarit

Gazetari dhe analisti Ilir Demaliaj është dhunuar mesditën e kësaj të marte pranë banesës së tij në Tiranë. Ai ka pësuar dëmtime në fytyrë dhe është transportuar në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, ndërsa policia ka identifikuar autorin e dyshuar dhe e ka shpallur në kërkim.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:00 në rrugën "Çamëria". Demaliaj ka kallëzuar se është goditur sapo ka dalë nga banesa.
Në dëshminë e dhënë para uniformave blu, ai ka përjashtuar motivet politike, duke pretenduar se konflikti lidhet me një mosmarrëveshje me një banor të zonës.
Sipas tij, autori e akuzonte se kishte njoftuar policinë për gjobitjen e automjeteve të parkuara në mënyrë të parregullt në rrugë.
Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë ndërhynë në vendngjarje dhe, përmes veprimeve të shpejta hetimore, identifikuan si autor të dyshuar shtetasin me inicialet R. S., i cili është shpallur në kërkim.
Gjatë veprimeve procedurale është bllokuar dhe sekuestruar edhe automjeti që dyshohet se është përdorur nga autori.
Nën drejtimin e Prokurorisë, grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa policia po punon për lokalizimin dhe arrestimin e personit të shpallur në kërkim.


