Çipa: Prekja e gazetarëve, e patolerueshme! Kjo protestë ka rikthyer dëgjueshmërinë publike

Prej më shumë se një muaji, rrugët e kryeqytetit janë kthyer në një arenë protestash qytetare, por paralelisht po kthehen edhe në një mjedis thellësisht armiqësor për fjalën e lirë.

Gazetarët, fotoreporterët dhe operatorët e terrenit po përballen jo vetëm me kushte ekstreme atmosferike dhe lodhjen e 33 ditëve raportim të pandërprerë, por edhe me një rrezik thelbësor: sulmet verbale dhe agresionin e paprecedentë nga individë brenda turmave.

I ftuar në një lidhje të drejtpërdrejtë në “ORA NEWS ”  Kreu i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa, e ka cilësuar këtë situatë si një alarm të kuq për shoqërinë. Rastet e përsëritura të sulmeve konsiderohen të pakuptueshme dhe të patolerueshme, veçanërisht kur gazetarët po shërbejnë për të transmetuar kërkesat e vetë qytetarëve.

Përtej ekraneve tradicionale, punonjësit e medias po garantojnë në çdo hapësirë multimediale pluralitetin e ideve dhe denoncimeve të popullit përballë disproporcioneve të pushtetit.

Në këto kushte, çdo lloj stigmatizimi apo dhune ndaj atyre që janë në krye të detyrës mbetet një goditje direkte ndaj thelbit të informimit publik. Por skandali merr përmasa alarmante kur vëmendja kthehet te forcat e rendit.

Sipas denoncimeve, elementë të caktuar të strukturave të Policisë së Shtetit kanë dështuar në mënyrë flagrante në garantimin e sigurisë për raportuesit. Në jo pak raste gjatë këtyre javëve, punonjësit e policisë kanë shpërfillur hapur autoritetin dhe integritetin fizik të gazetarëve, duke mos siguruar një mjedis të lirë për ushtrimin e profesionit. Thirrja është e prerë: autoritetet duhet të vendosin para përgjegjësisë ligjore si agresorët e fjalës së lirë, ashtu edhe policët neglizhentë.

"Po rastet e përsëritura të sulmeve dhe agresionit ndaj gazetarëve, po kryesisht reporterëve, fotoreporterëve dhe operatorëve që janë në krye të detyrës, në ndjekje të përditshme të protestës qytetare, janë një alarm për shoqërinë shqiptare.

Është një agresion i pakuptueshëm dhe natyrisht edhe i patolerueshëm. Nuk ka arsye pse individë të dalë prej protestës të ekspozojnë në sulme verbale ndaj gazetarëve, të cilët transmetojnë në spektrin multimedial të vendit, ndodhinë e përditshme dhe më së shumti ata përcjellin jo vetëm përmes logove të mediave profesionale, por edhe të hapësirës që zotërojnë në rrjetet sociale dhe në hapësirën virtuale në përgjithësi, opsionin dhe qëndrimet e tyre për të drejtat qytetare.

Kryesisht për kërkesat specifike që shpalosen për çdo ditë për diferencat e krijuara në jetën shoqërore, në jetën ekonomike dhe në mënyrë të veçantë në disproporcionet që ekzistojnë midis qeverisjes, pushtetit, institucioneve dhe vetë qytetarëve.

Në këto kushte, kur Shqipëria garanton përmes komunitetit të gazetarëve profesionalë dhe gjithë hapësirës dhe skenës multimediale të vet, një pluralitet të qëndrimeve, të ideve, të kërkesave, të denoncimeve të tjerë, nuk ka arsye që protestues të tillë apo individë të tillë agresivë të sulmojnë mediat, të sulmojnë gazetarët dhe aq më tepër të stigmatizojnë reporterët në detyrë për qëndrimet dhe raportimet e tyre.

Në fakt kjo është një përgjegjësi që përfshin edhe elementë e individë të strukturave të Policisë së Shtetit. Në jo pak raste gjatë ditëve të protestës, dhe janë plot gati 33 ditë, ata nuk kanë ditur të ruajnë dhe të garantojnë ushtrimin e të drejtës së profesionit, raportimin e lirë dhe në mjedisin që dëshirojnë dhe projektojnë vetë reporterët.

Ne tërheqim vëmendje dhe si Union i Gazetarëve Shqiptarë që forcat e policisë, autoritetet policore për të gjitha rastet e denoncuara nga organizatat e gazetarëve dhe në mënyrë specifike nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, të vendosin para përgjegjësisë ligjore ata ushtrues të dhunës, ata agresorë ndaj gazetarëve dhe ata punonjës policie që shpërfillin autoritetin dhe integritetin fizik të gazetarëve.".-theksoi ai.

Zoti Çipa ju si e keni parë këtë protestë qytetare që po zhvillohet duhet thënë sepse nuk është se ka parti politike të drejtpërdrejtë pra që po e mbështet?

Aleksandër Çipa: "Unë vazhdoj t'i përmbahem pikëpamjes sime që kjo protestë ka rikthyer edhe një herë një peshë specifike të funksionimit dhe të dëgjueshmërisë publike në kuadër të demokracisë në Shqipëri.

Sepse ishte krijuar një sfumim i demokracisë së dëgjimit, veprimit dhe në mënyrë të veçantë të reagimit. Institucionet dhe vendimmarrësit në qeverisjen aktuale të vendit kishin krijuar verdiktin e çdo vendimi të imponueshëm dhe asnjëherë praktikat e vendimeve të konsultuara paraprakisht dhe të transparencës dhe llogaridhënies publike.

Është krijuar një problem shumë serioz në disproporcionalitetin funksionues midis vendimmarrjes dhe llogaridhënies, midis konsulencës me qytetarët, me grupet e interesit dhe me komunitetet vendore. Qeverisja qendrore ka krijuar një centralizim të qeverisjes vendore dhe ky është një deformim i demokracisë, së vendimmarrjes dhe të qeverisjes".

NDIQNI INTERVISTEN E PLOTE

EMISIONET