Pirdeni: Ligji i ri sjell sistem të ri rekrutimi dhe kontrolli të performancës në administratë

Java e Administratës Publike, në edicionin e saj të tretë, kulmoi me një aktivitet që vendosi në qendër punonjësit e administratës dhe rolin e tyre në shërbimin ndaj qytetarëve.
Në aktivitetin e mbajtur me këtë rast, ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri Edi Rama, ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni theksoi se kjo javë është një iniciativë e rëndësishme, e fokusuar te trupa e zyrtarëve të administratës publike që kanë zgjedhur t’i kushtojnë jetën e tyre shërbimit publik.
“Por ky është edhe një moment për të reflektuar mbi sfidat dhe problematikat, mbi atë çfarë administrata publike duhet të bëjë për t’iu përshtatur jo vetëm sfidave të kohës, por për të formësuar një sistem shtetformimi që përshtatet me standardet evropiane”, u shpreh Pirdeni.
Gjatë kësaj jave janë zhvilluar një sërë iniciativash, me synim afrimin me të gjithë aktorët që kontribuojnë në reformimin e administratës publike. Pirdeni bëri të ditur se java nisi me një takim me zyrat e karrierës në universitete, për të krijuar një lidhje më organike mes administratës dhe institucioneve të arsimit të lartë.
Po ashtu, është prezantuar një sistem i ri trajnimi dhe mirëseardhjeje për çdo punonjës të ri në administratën publike, me synim që hyrja në shërbimin publik të shoqërohet që në fillim me standarde integriteti dhe profesionalizmi.
“Gjatë kësaj jave celebrojmë shërbimin publik dhe të gjithë ata që përditë, me shumë përkushtim dhe devotshmëri, kontribuojnë në të tashmen dhe të ardhmen e Shqipërisë”, tha Pirdeni.
Sipas Pirdenit, reforma në administratën publike nuk realizohet vetëm përmes dokumenteve, strategjive dhe ligjeve, por kërkon një vendim politik për ta konsideruar administratën publike si një aset kombëtar strategjik dhe për të rishpikur marrëdhënien mes administratës dhe qytetarit.
Pirdeni vlerësoi progresin e bërë gjatë dekadës së fundit në modernizimin e administratës publike, nga periferia deri në qendër. Ajo nënvizoi konsolidimin e sistemit të pagave dhe rritjen e tyre në të gjithë sistemin, duke i afruar me standardet e tregut privat, ndërsa në disa raste edhe duke i tejkaluar ato.
Ministrja Pirdeni theksoi se objektivi i Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian në vitin 2030 lidhet ngushtë me identitetin e shtetit dhe me ndërtimin e një administrate të konsoliduar, e cila adreson edhe problematikat që vazhdojnë të jenë objekt pakënaqësie për qytetarët.
“Kështu që nuk jemi sot domosdoshmërisht dhe vetëm për të folur se çfarë kemi bërë, por dhe cili është destinacioni jonë nga pikëpamja strategjike, si e shikojmë ne mënyrën se si duhet ta zhvillojmë administratën publike të Shqipërisë anëtare në Bashkimin Evropian në vitin 2030 dhe kjo është në fakt në thelb ka një diskutim me identitetin e shtetit, me identitetin e ri të një administrate e cila nga njëra anë ka ekzigjencë kryesore të konsolidohet, por nga ana tjetër gjithashtu dhe të adresojë ato problematika sistemike që ende ekzistojnë dhe që bëhen shpesh dhe objekt frustrimi, objekt pakënaqësie nga qytetarët”, tha Pirdeni.
Ministrja Pirdeni pohoi se duke pasur në mendje faktin që investimi përgjatë këtyre viteve është fokusuar kryesisht në forcimin e digjitalizimit, në forcimin e kapaciteteve njerëzore, një tjetër fokus i rëndësishëm ka qenë edhe llogaridhënia.
“Sepse mendojmë që mënyra se si qytetarët presin të reflektojë administrata ndaj kërkesave të tyre është që të jenë më transparente, më llogaridhënëse dhe në zemër të të kësaj iniciative ka qenë dhe ligji i cili u miratua dje Kuvendin e Republikës së Shqipërisë ë Ligji për rishikimin në fakt i ligjit për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore. Ky ligj parashikon për herë të parë një sistem të ri të kontrollit të performancës së të gjitha institucioneve të varësisë. Një kontroll performance e cila bazohet në plane konkrete performance dhe në raporte vjetore të cilat do të jenë publike tashmë dhe për qytetarët”, vijoi ajo.
Pirdeni shtoi se ligji i ri vendos një standard të ri të vendimmarrjes në administratë.
“Kemi menduar që do duhet të kalojmë në një sistem të dekoncentruar të vendimmarrjes ku i jepet më shumë hapësirë dhe më shumë kompetencë vendimmarrje drejtorëve të përgjithshëm si shtyllat kryesore e vendimmarrjes në ato fusha të të përgjegjësisë që ato përfaqësojnë”, tha Pirdeni, ndërsa nënvizoi se ky lidh do të krijojë një standard të ri, sidomos përsa i përket rekrutimit në disa institucione që kanë një lloj vulnerabiliteti.
“Çfarë duam të bëjmë me ligjin është që të hapim nga sot që e kemi 20% numrin tërësor të thirrjeve që ne publikojmë për jashtë shërbimit civil për modelet e për pozicioneve menaxheriale në 50% për të garantuar që të kemi një mobilitet më të mirë midis sektorit publik dhe sektorit privat për sa i përket përthithjes së talenteve në nivel menaxherial”, tha Pirdeni.
Ministrja Pirdeni u ndal edhe te një tjetër iniciativë në administratën publike, që targeton ato fusha të cilat janë më vulnerabël ndaj korrupsionit sot në Shqipëri.
“Kemi nisur një proces të vlerësimit të korrupsionit në sektorin e shëndetësisë me partnerët zviceranë. Kemi nisur një proces të rishikimit të riskut të korrupsionit në tatime dogana me BE-në. Sikurse kemi finalizuar një proces të rishikimit të korrupsionit në sektorin e prokurimit publik me partnerët tanë italianë, pikërisht për shkak të natyrës dhe të domosdoshmërisë për të parë se cilat janë ato tendenca të abuzimeve potenciale me pushtetin publik dhe sidomos dhe me fondet publike”, tha Pirdeni.


