Nufi: Shkolla Kombëtare e Fluturimit, kapacitet i ri strategjik për mbrojtjen dhe sigurinë kombëtare

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, deklaroi sot se hapja e Shkollës Kombëtare të Fluturimit në Bazën Ajrore të Rinasit është një hap i rëndësishëm në modernizimin e Forcës Ajrore dhe forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit.

Në ceremoninë e hapjes së shkollës, ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama, Nufi tha se ky institucion nuk përbën thjesht një strukturë të re arsimimi apo trajnimi, por një gur themeli në fuqizimin e kapaciteteve të Forcave Ajrore drejt së ardhmes.

“Sot shënojmë krijimin e një kapaciteti të ri strategjik për mbrojtjen dhe sigurinë kombëtare, që lidhet me një nga elementët më të rëndësishëm të fuqisë sonë mbrojtëse: kapacitetet njerëzore”, u shpreh Nufi.

Sipas Nufit, Shkolla Kombëtare e Fluturimit ndërthur kapitalin njerëzor, teknologjinë moderne dhe standardet ndërkombëtare, duke krijuar mundësinë që pilotët, kontrollorët e fluturimit dhe personeli i përfshirë në operimin e mjeteve ajrore të përgatiten sipas metodologjive më të avancuara të aleatëve të NATO-s.

Nufi tha se “dy helikopterët e rinj të trajnimit, të cilët i janë bashkuar kapaciteteve të Forcës Ajrore, do të shërbejnë si platforma moderne për formimin e pilotëve të ardhshëm”.

“Ato do të krijojnë kushte që kursantët të zhvillojnë aftësitë e tyre në një mjedis trajnimi që u përgjigjet kërkesave të kohës”, theksoi Nufi.

Ministri Nufi tha se investimet në infrastrukturë, teknologji dhe, mbi të gjitha, në burimet njerëzore, janë pjesë e një strategjie afatgjatë që synon ta bëjë Shqipërinë një aleate më të aftë dhe më të besueshme në kuadër të NATO-s.

“Kjo shkollë mishëron vizionin e qeverisë shqiptare për modernizimin e Forcave të Armatosura dhe forcimin e kapaciteteve tona mbrojtëse”, deklaroi ai.

Nufi përshëndeti kandidatët e parë që i bashkohen këtij programi, duke theksuar se ata janë pjesë e një misioni të rëndësishëm për ndërtimin e traditës moderne të aviacionit shqiptar.

“Ata nuk janë vetëm kursantë, por pjesë e një misioni të madh për të ndërtuar traditën moderne të aviacionit shqiptar dhe për të mbajtur përgjegjësinë e një profesionalizmi të lartë”, përfundoi Nufi.

EMISIONET