Pogradec, kontrolle në plazhe! Mbi 60% e vijës liqenore do të mbetet në funksion të plazheve publike

Mbi 60% e vijës liqenore të Pogradecit do të mbetet në funksion të plazheve publike edhe gjatë këtij sezoni turistik.

Për të garantuar respektimin e kësaj ndarjeje, një task-forcë e përbashkët e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Bashkisë Pogradec dhe Policisë së Shtetit zhvilloi inspektime përgjatë bregut.

Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Shpëtim Çiku, tha se gjatë kontrolleve nuk janë konstatuar shkelje, ndërsa theksoi se inspektimet do të vijojnë gjatë gjithë sezonit për të parandaluar zënien e paligjshme të hapësirave publike dhe shkeljen e kushteve të lejeve të plazheve.

Drejtoresha e Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Pogradec, Enjela Karafili, bëri të ditur se rreth 40% e vijës bregliqenore është në dispozicion të stacioneve private të plazhit, ndërsa kontrollet do të zhvillohen çdo javë për të garantuar respektimin e sipërfaqeve të përcaktuara dhe për të shmangur çdo abuzim.

Gjatë inspektimeve u kontrollua edhe zbatimi i masave të sigurisë, përfshirë praninë e vrojtuesve të plazhit, sinjalistikën detare, bovat për kufizimin e mjeteve lundruese dhe shënimin e zonave të thellësisë, për të garantuar sigurinë e pushuesve gjatë sezonit veror.

EMISIONET