Cristiano Ronaldo mohon zërat për tërheqjen nga Portugalia: Do të vendos me qetësi pas Botërorit!

Vetëm pak orë përpara ndeshjes së Portugalisë ndaj Kroacisë në 1/16-at e Kupës së Botës 2026, një deklaratë e motrës së Cristiano Ronaldos, Kátia Aveiro, bëri bujë në mediat ndërkombëtare. Ajo u shpreh nga Toronto se ky do të ishte Botërori i fundit i CR7 me fanellën e kombëtares portugeze.
Megjithatë, pas fitores dramatike 2-1 ndaj Kroacisë, vetë Ronaldo zgjodhi të shuante spekulimet, duke theksuar se ende nuk ka marrë një vendim për të ardhmen e tij me përfaqësuesen.
“E ardhmja ime nuk është gjëja më e rëndësishme në këtë moment. Do të kem kohë të flas për të. Pasi të përfundojë gjithçka, qoftë me fitore apo humbje, do të diskutoj me familjen time dhe më pas do të marr vendimin më të mirë. Nuk marr më vendime të nxituara apo të ndikuara nga emocionet. Sot i bëj të gjitha me qetësi. Tani dua vetëm të shijoj momentin”, deklaroi 40-vjeçari për “Sport TV”.
Ronaldo u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes nga FIFA, por, ndryshe nga praktika e zakonshme, nuk foli në zonën e përzier me gazetarët, duke dhënë deklarata vetëm për transmetuesit zyrtarë të turneut.
Duke komentuar suksesin ndaj Kroacisë, kapiteni portugez pranoi se skuadra e tij kaloi momente të vështira, por vlerësoi karakterin e treguar në fushë.
“Sot duhej të dinim të vuanim. Për të fituar një kompeticion të këtij niveli, duhet të jesh i aftë të kalosh edhe momente të tilla. Në pjesën e parë e kontrolluam mirë lojën, ndërsa e dyta ishte më kaotike. Kroacia shënoi dhe ne u nervozuam disi, por pika e kthesës ishte penalltia. Pas atij momenti gjithçka u bë më e lehtë. Ende kemi disa vështirësi, por kjo është bukuria e një kompeticioni si Kupa e Botës dhe duhet të vazhdojmë në këtë rrugë”, u shpreh Ronaldo.
Portugalia tashmë ka siguruar një vend në fazën e 1/8-ave të Botërorit 2026, ndërsa e ardhmja e Cristiano Ronaldos me kombëtaren mbetet ende e hapur.


