EMRAT/ Ekz*kutuan 45-vjeçarin në Shijak, arrest me burg për dy autorët

Është ekzekutuar masa e sigurisë “Arrest në burg” për 2 autorët e dyshuar të vrasjes së 45-vjeçarit Denis Çumani në muajin janar 2026, në Shijak.
Bëhet fjalë për shtetasit Dorian dhe Indrit Ferra, kushërinj me njëri-tjetrin dhe banues në Shijak. Ata ishin konfliktuar për motive të dobëta me 45-vjeçarin duke e qëlluar me armë zjarri. 45-vjeçari humbi jetën pas disa ditësh në spital.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës ekzekutuan masën e sigurisë “Arrest në burg”, caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprat penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, për shtetasit: -I. F., 38 vjeç dhe D. F., 36 vjeç (kushërinj), të dy banues në Shijak.
Këta shtetas ishin shpallur në kërkim pasi nga hetimet dyshohet se më datë 27.01.2026, në qytetin e Shijakut, janë konfliktuar për motive të dobëta me shtetasin D. Ç., 45 vjeç dhe e kanë qëlluar me armë zjarri. Për shkak të dëmtimeve, 45-vjeçari ka humbur jetën pas disa ditësh, në spital”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.


