Këmbë të fryra dhe të rënda pas punës?! Ekspertët shpjegojnë pse ndodh dhe si ta shmangni...

Shumë njerëz përballen në fund të ditës me ndjesinë e këmbëve të fryra, të rënda dhe kyçeve të tendosura, veçanërisht ata që kalojnë orë të gjata ulur përpara kompjuterit. Sipas ekspertëve, kjo gjendje lidhet drejtpërdrejt me mungesën e lëvizjes dhe mënyrën se si qarkullon gjaku në organizëm.
Kur njeriu qëndron ulur për periudha të gjata, muskujt e këmbëve nuk aktivizohen mjaftueshëm për të ndihmuar kthimin e gjakut drejt zemrës. Si pasojë, gjaku grumbullohet në enët e vogla të gjakut, rritet presioni dhe lëngjet depërtojnë në indet përreth, duke shkaktuar fryrje dhe ndjesi rëndese.
Specialistët rekomandojnë kryerjen e ushtrimeve të thjeshta edhe gjatë kohës së punës. Një prej tyre është ngritja dhe ulja e thembrave ndërsa jeni ulur, duke përsëritur lëvizjen 20 deri në 30 herë çdo orë. Po ashtu, këshillohet shmangia e kryqëzimit të këmbëve dhe mbajtja e tyre të mbështetura në tokë për të lehtësuar qarkullimin e gjakut.
Ekspertët theksojnë gjithashtu se reduktimi i konsumit të kripës mund të ndihmojë në uljen e mbajtjes së lëngjeve, ndërsa pirja e tepërt e ujit nuk ka provuar se eliminon fryrjen e këmbëve.
Për të lehtësuar simptomat pas një dite të gjatë, rekomandohet ngritja e këmbëve për rreth 10 minuta në një pozicion të lartë, si dhe përdorimi i ujit të freskët në këmbë për të stimuluar qarkullimin dhe për të ulur ndjesinë e rëndesës.

