6 gushti vendimtar për Kosovën/ Nis numërimin mbrapsht, caktohet data e Kuvendit të ri, ja çfarë rrezikohet

6 gushti vendimtar për Kosovën/ Nis numërimin mbrapsht, caktohet

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka caktuar datën 6 gusht për mbajtjen e seancës konstituive të Kuvendit të ri, i dalë nga zgjedhjet parlamentare të qershorit.

Seanca do të nisë në orën 10:00, ndërsa deri atëherë partitë politike pritet të vijojnë negociatat për krijimin e institucioneve të reja.

Haxhiu u ka bërë thirrje subjekteve parlamentare që të vazhdojnë dialogun politik, duke e konsideruar atë një proces të nevojshëm për funksionimin e institucioneve dhe shmangien e një tjetër krize politike.

“Deri atëherë mbetet detyrim politik dhe institucional i subjekteve parlamentare që të vazhdojnë dialogun. Dialogun mes tyre askush nuk duhet ta shohë si shenjë dobësie, por si dëshmi e përgjegjësisë demokratike”, u shpreh Haxhiu.

Afati i fundit kushtetues për mbajtjen e seancës konstituive është 7 gushti. Pas konstituimit të Kuvendit nis edhe afati 60-ditor brenda të cilit deputetët duhet të zgjedhin presidentin e ri të vendit. Nëse ky proces dështon, Kosova rrezikon të shkojë sërish në zgjedhje.

Kriza politike vjen pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të qershorit, të tretat brenda një periudhe prej rreth një viti e gjysmë, të shkaktuara nga mungesa e një marrëveshjeje për krijimin e institucioneve.

Aktualisht, bisedimet mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës janë pezulluar. Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, vendosi të ndërpresë përkohësisht diskutimet me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për shkak të zhvillimeve të brendshme në partinë e tij.

Nga ana tjetër, Partia Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se do të qëndrojë në opozitë pas takimit me Kurtin.

Sipas rezultatit të certifikuar të zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 53 mandate, PDK 22 mandate, LDK 18 mandate dhe Aleanca 7 mandate në Kuvendin me 120 ulëse.

Për krijimin e qeverisë së re nevojiten 61 vota, ndërsa për zgjedhjen e presidentit kërkohet një shumicë më e gjerë në fazat e para të votimit. Një marrëveshje mes LVV-së dhe LDK-së do të siguronte numrat e nevojshëm për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.

Nëse brenda 60 ditëve nga konstituimi i Kuvendit nuk arrihet zgjedhja e presidentit, institucioni ligjvënës shpërndahet dhe vendi përballet me zgjedhje të reja parlamentare.

EMISIONET