Blushi kërkon interpelancë për TEC-et lundruese në Vlorë: Duhet llogari për milionat e shpenzuara

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka depozituar në Kuvend kërkesën për një interpelancë urgjente me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, lidhur me çështjen e TEC-eve lundruese në Vlorë.
Blushi kërkon sqarime për kostot e këtij projekti dhe mënyrën e menaxhimit të tij, duke ngritur pretendime se TEC-et kanë sjellë shpenzime të larta për buxhetin e shtetit pa dhënë rezultatet e pritshme në prodhimin e energjisë.
Në një deklaratë për mediat, ai u shpreh se projekti ka konsumuar dhjetëra milionë euro dhe se qeveria po planifikon të shpenzojë edhe 20 milionë euro të tjera për operimin dhe mirëmbajtjen e impianteve.
“Ky është një nga skandalet më të mëdha të shpërdorimit të parave publike”, u shpreh Blushi, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe ish-ministren Belinda Balluku për përgjegjësi politike mbi këtë projekt.
Sipas tij, TEC-et lundruese, të sjella nga Bangladeshi, janë kthyer në një barrë financiare, ndërsa nuk kanë dhënë kontributin e parashikuar për sistemin energjetik.
Blushi ngriti gjithashtu pretendime për konflikt interesi lidhur me drejtimin e kompanisë që zotëron TEC-et nga ish-ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, duke kërkuar transparencë mbi çdo lidhje të mundshme me këtë çështje.
Ai kërkoi që ministri të japë shpjegime për fondet e përdorura, kontratat e lidhura, projektin e ri të mirëmbajtjes me vlerë 20 milionë euro dhe ndikimin që TEC-et kanë në mjedisin e Gjirit të Vlorës.
Sipas Blushit, impiantet ndikojnë negativisht në mjedis dhe turizëm, ndërsa Partia e Lirisë mbështet kërkesat për largimin e tyre nga zona.


