Burimi: Protesta në Tiranë, historike, frymëzim dhe për vetë Evropën. Imazhi i kësaj qeverie është djegur tashmë
Prej 16 ditësh, kryeqyteti është përfshirë nga protesta të pandërprera, të cilat së fundmi kanë përshkallëzuar edhe me bllokimin e autostradës Tiranë-Durrës drejt aeroportit ndërkombëtar.
Kjo lëvizje qytetare e cila mbledh çdo ditë në marshim të rinj, familjarë, të moshuar dhe aktivistë të ndryshëm, po cilësohet si një ngjarje me përmasa historike jo vetëm për vendin, por edhe për vetë Evropën.
I ftuar në një lidhje të drejtpërdrejtë për "ORA NEWS", analisti Genc Burimi e vuri theksin te natyra krejtësisht paqësore e këtij tubimi. Duke bërë një paralelizëm me lëvizjen e "Jelekverdhëve" në Francë, e cila shpesh degradoi në dhunë deri në rrezikimin e presidentit Macron, protesta e Tiranës mbetet një model i qëndresës paqësore civile.
Sipas analistit, goditja më e rëndë që ka prodhuar kjo lëvizje nuk është thjesht gjeopolitike, por lidhet drejtpërdrejt me figurën e kreut të qeverisë. Imazhi politik i kryeministrit vlerësohet si i "djegur njëherë e përgjithmonë" brenda vendit, me një besueshmëri që tashmë ka prekur nivelin zero.
Por detaji që tërheq më shumë vëmendjen në këtë përplasje civile është "lufta e memeve" dhe pankartave ironike.
Edhe pse kryeministri ka tentuar të tregohet sportiv duke i ripostuar këto pankarta në rrjetet e tij sociale dhe duke i quajtur "origjinale", pas kësaj fshihet një realitet tjetër.
Ai thekson se kreu i qeverisë, i cili e ka konsideruar gjithmonë veten si "mbretin e memeve" dhe mjeshtër të komunikimit, tashmë është mposhtur në lojën e tij nga kreativiteti i të rinjve protestues. Kjo thuhet se ka ngjallur një xhelozi të fshehtë te kryeministri, i cili e sheh veten një hap mbrapa qytetarëve në fushën ku ndihej më i pathyeshëm.
"Mënyra se si ka rrjedhur i jep kësaj proteste një karakter historik, jo për Shqipërinë, por dhe për Evropën. Në Francë nga ku flas, dhe që është, si të thuash, djepi i protestave, nuk kam parë një protestë me këtë vazhdimësi në mënyrë paqësore.
Patëm 'Jelekverdhët' që zgjatën javë, muaj biles, por qenë një protestë e shoqëruar shumë shpesh me dhunë deri sa u kërcënua dhe vetë jeta e Macronit kur një turmë shkoi në Elize për ta kapur. Në këtë pikëpamje, kjo protestë është tashmë historike për Shqipërinë dhe për Evropën.
Pastaj mbrapa, mund të debatojmë se çfarë do arrijë, por një gjë ka arritur. Ajo që ka arritur është se imazhi i Edi Ramës në vend, nuk flas në botë se bota harron shpejt, por në vend imazhi i Edi Ramës është djegur njëherë e përgjithmonë.
Ai nuk mund të ribëhet më, nga ana politike si imazh nuk mund të ribëhet më. Mund të mbajë pushtet, por besueshmëria e tij ka shkuar në nivelin e zeros.
Kjo nuk është origjinale, kjo është parë dhe në popuj të tjerë domethënë. Po të drejtohesh tek pankartat, kudo, e ke nga 'Jelekverdhët' në Francë, tek manifestimet e Pranverës Arabe, kudo. Pankarta është diçka... nuk njoh protestë pa pankarta dhe nuk njoh protestë edhe në Evropë dhe në botë ku pikërisht tek pankartat derdhet i gjithë ky lloj kreativiteti popullor.
Ajo që ishte e veçantë është se Rama e ka kapërdirë dhe prandaj ka një lloj xhelozie që ai shpesh e rimerr, sepse Rama e njeh veten si mbreti i memeve. Ai që krijonte biles edhe buzëqeshje botërore, me diellin, me Vatikanin, me bektashinjtë. Pra kapte ca elementë kështu që në gjithë botën komentoheshin.
Por kësaj here është e kundërta, janë këta vetë, këta të rinj që gjetën atë imazhin e flamingos që u bënë meme botërore. Kjo është surpriza. Pra, domethënë që e kapën Ramën tek loja e vet, tek loja e komunikimit.
Rama e gjeti veten një shkallë më poshtë se ata. Por që është një manifestim paqësor me pankarta, sigurisht nuk e gjej origjinale kudo që shoh pankarta dhe shumë kreative".
NDIQNI INTERVISTEN E PLOTE




