Rama publikon pamjet: Pallati i Kulturës “Vaçe Zela” në Lushnjë, me kushte dinjitoze

Pallati i Kulturës “Vaçe Zela” në Lushnjë falë restaurimit është transformuar në hapësirë që ofron hapësira dhe kushte më dinjitoze për artistët dhe aktivitetet kulturore.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje të kësaj godine tashmë të restauruar plotësisht.
Rama u shpreh se ky institucion kulturor që mban emrin e ikonës së këngës shqiptare Vaçe Zela në Lushnjë është tashmë i rilindur me kushte dinjitoze.
Qendra me funksione komplekse si teatër, kinema, aktivitete sociale kulturore etj është godinë e ndërtuar që në vitin 1974 dhe projekti i ri, falë një koncepti bashkëkohor të një qendre arti multifunksionale ka përfshirë ndërtimin e një salle moderne teatri, kinema, një skenë lëvizëse, teatrin e kukullave, hapësirë për ekspozita, kurse arti për të rinjtë, e gjitha një hapësirë ideale për shfaqje të ndryshme teatrore, muzikore dhe artistike.
Restaurimi i Pallatit të Kulturës synon përmirësimin e infrastrukturës kulturore në qytet, duke krijuar hapësira më të përshtatshme për zhvillimin e aktiviteteve artistike dhe komunitare.

