HARTA/ Ndryshon organizimi i trafikut në Himarë, Tavo: Synojmë lehtësimin e lëvizjes gjatë verës

Nga sot në bashkinë e Himarës ka nisur zbatimi i ndryshimeve në qarkullimin rrugor me qëllim menaxhimin më efikas të fluksit të automjeteve gjatë sezonit turistik.
Kryetari i bashkisë së Himarës, Vangjel Tavo tha sot për ATSH-në se “prej ditës së sotme kanë hyrë në fuqi ndryshimet e miratuara me vendim të këshillit bashkiak Himarë në senset e lëvizjes dhe në mënyrën e organizimit të trafikut në disa rrugore të brendshme të Himarës”.
“Këto masa janë ndërmarrë në kuadër të përgatitjeve për sezonin turistik dhe synojnë përmirësimin e qarkullimit, veçanërisht gjatë muajve të verës kur Himara përballet me një rritje të ndjeshme të numrit të vizitorëve dhe automjeteve”, tha Tavo.
Sipas tij, ndryshimet synojnë lehtësimin e qarkullimit gjatë sezonit turistik, rritjen e sigurisë rrugore, uljen e trafikut dhe përmirësimin e aksesit në zonat urbane.
Himara është një prej destinacioneve më të kërkuara turistike të bregdetit shqiptar, duke tërhequr çdo vit mijëra turistë vendas dhe të huaj. Për këtë arsye, menaxhimi i trafikut, organizimi i hapësirave publike dhe garantimi i një lëvizjeje sa më të sigurt janë ndër prioritetet kryesore të bashkisë gjatë sezonit veror.
Bashkia Himarë vlerëson se zbatimi i skemës së re të qarkullimit do të ndikojë në një lëvizje më të rregullt të automjeteve dhe në krijimin e një përvoje më të mirë si për banorët, ashtu edhe për turistët që zgjedhin këtë zonë bregdetare për pushime.


