Legjenda e futbollit shqiptar, Altin Raklli: Ky Botëror po dhuron spektakël por Gjermania nuk më bind aspak
Në një lidhje direkte për emisionin “Sport Focus” në Ora News, ish-futbollisti i njohur Altin Raklli analizoi ecurinë e Kampionatit Botëror, duke vlerësuar atmosferën që po shoqëron kompeticionin dhe nivelin e paraqitur deri tani nga skuadrat pjesëmarrëse.
Raklli u shpreh se Botërori po ofron emocione, stadiume të mbushura dhe ndeshje të luftuara, ndërsa formati i zgjeruar po u jep mundësi edhe skuadrave më të vogla të jenë pjesë e eventit më të rëndësishëm të futbollit.
“Deri tani është një kampionat i bukur. Stadiumet janë të mbushura, fushat janë shumë të mira dhe skuadrat kanë treguar cilësi. Zgjerimi i formatit sjell edhe diferenca mes ekipeve, por u jep mundësi skuadrave të vogla të jenë pjesë e Botërorit. Kjo është një gjë pozitive për futbollin.”-tha ish-futbollisti.
Sipas Rakllit, pavarësisht diferencave të dukshme në disa ndeshje, kompeticioni ka prodhuar shumë gola dhe disa rezultate surprizë që e kanë bërë garën më interesante.
Ai ndaloi edhe te paraqitjet e skuadrave aziatike, duke veçuar Japoninë dhe Korenë e Jugut, të cilat sipas tij kanë treguar nivel të lartë ndaj kundërshtarëve të fortë.
“Ekipet aziatike po tregojnë diçka që nuk e prisja. Japonia dhe Koreja e Jugut kanë bërë ndeshje shumë të mira. Megjithatë, jemi ende në fazën e grupeve. Shpesh ekipet e mëdha nuk tregojnë potencialin e tyre të plotë në këtë fazë dhe shfaqen ndryshe në ndeshjet eliminatore.”-shtoi ai.
Duke folur për favoritët, Raklli kujtoi se në historinë e Botërorëve ka pasur skuadra që kanë kaluar me vështirësi grupet dhe më pas kanë fituar trofeun. Megjithatë, ai u shfaq më kritik ndaj Gjermanisë, për të cilën tha se paraqitjet e deritanishme nuk japin garanci për një rrugëtim të gjatë në turne.
Ish-sulmuesi shqiptar vlerësoi se konkurrenca në disa grupe mbetet shumë e fortë dhe se ndeshjet e ardhshme do të japin një panoramë më të qartë për skuadrat që synojnë fazat vendimtare të Kampionatit Botëror.


