Tupja: Shqiptarët janë sa pornografikë aq edhe erotikë
I ftuar në "PolitikOn" nga Alfred Lela në RTV Ora, shkrimtari Edmond Tupja u shpreh se shqiptarët janë sa pornografikë, aq edhe erotikë.
Tupja: “Erotika ka të bëjë me erosin që nuk është vetëm seksi, por është jeta përballë vdekjes që është ‘thanatus’ , pastaj në planetin tonë të paktën raca ripërtërihet, njerëzimi riprodhohet falë kontaktit seksual. Fjala eros ka dy kuptime, e përsëris, mua më interesonte kuptimi i dytë domethënë në kuptimin erotik, eros në kuptimin e një poezie, e një proze që i këndon asaj se çfarë ndodh midis burrit dhe gruas, midis Evës dhe Adamit, midis Havasë edhe Ademit; që është seksi. Por ka lloj-lloj mënyrash për ta trajtuar seksin në letërsi. Kemi atë letërsi që quhet pornografike, ku qëllimi është që të fitosh para duke paraqitur gjëra si në një revistë pornografike ku sheh copa mishi. Shpirti nuk është i dukshëm, ose është fare pak i dukshëm, ndërsa letërsia e mirfilltë erotike për mua, modestisht dhe për shumë autorë të tjerë në rang rruzulli tokësor, është ajo që i këndon edhe trupit, edhe shpirtit.
Ka shqiptarë ose shqiptare që mund të bëjnë seks me një të panjohur dhe kënaqen fizikisht, ka të tjerë që duan të kenë një marrëdhënie përpara, të vogël, shpirtërore, për t’u përcaktuar shkalla e afrisë. Unë jam nga ata që po s’më rrahi mendja dhe zemra për dikë, nuk më rreh fundi i barkut.
Unë besoj se ne jemi më shumë erotikë se shumë popuj se seksi ka qenë mollë e ndaluar. Të gjitha fetë rekomandonin martesën"
