Fshihej në stan i mbrojtur nga 20 qen sharri, gazetari Vatnikaj jep detaje nga jeta e fshehtë e të shumëkërkuarit të rrezikshëm në Maliq
Një ngjarje e rëndë ka dalë në dritë në zonën e Lozhanit, ku është zbuluar se një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore ka jetuar i pashqetësuar për vite me radhë nga ana e autoriteteve. Violand Bashllari, një i shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare, arrinte t'i fshihej forcave të rendit duke u strehuar në një stan të improvizuar maleve, i ruajtur nga një ushtri e vërtetë me rreth 20 qen të racës sharr.
I ftuar në emisionin "Drejt", në "Ora news", ishte gazetari Edison Vatnikaj i cili u shpreh se Bashllari ishte shpallur në kërkim që prej vitit 2017 për veprat penale të prodhimit, shitjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike, ndërsa i ishte shmangur dënimit me 9 vite burg të dhënë nga gjykata që nga viti 2015. Pavarësisht rrezikshmërisë së lartë, ai bënte një jetë thuajse të izoluar, duke jetuar me nënën e tij dhe duke u kujdesur për 40 krerë bagëti. Skema e tij e jetesës ishte e mirëmenduar: ai zbriste në qendër të fshatit vetëm për t'u furnizuar me ushqimet bazë dhe më pas ngjitej sërish në strehën e tij të blinduar nga qentë e rrezikshëm, të cilët i mbante të lëshuar rreth stanit dhe i merrte me vete si mburojë kudo që lëvizte me tufën.
"Në fakt është ngjarje e rëndë Luan, për të cilën, së pari vjen, të paktën bie në sy moszbatimi i rregullave standarde të Policisë së Shtetit. Me datën 4 qershor, autori i kësaj ngjarjeje të rëndë, Violand Bashllari, duke qëndruar për një kohë të gjatë në stanin e tij të improvizuar në zonën e Lozhanit, zbret në qendër të fshatit ku merr ushqimet e nevojshme dhe më pas ngjitet sërish dhe qëndron për disa kohë, në fakt, në atë zonë.
Ishte person në kërkim prej vitit 2017 për trafik të lëndëve narkotike, prodhim, shitje dhe i dënuar me 9 vite burg nga gjykata.
Duke qenë se i ishte shmangur dënimit prej vitit 2015, por për t'u ndalur tek dijenia që ka marrë Policia e Shtetit, kanë qenë qytetarët të cilët kanë informuar për këtë person që sigurisht ishte një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i padëshiruar nga askush.
Kishte vendosur të jetonte me nënën në stan dhe të mbante rreth 40 bagëti dhe 20 qen sharri, të cilët kryesisht i lëshonte rreth stanit dhe kur dilte me bagëtitë merrte dhe disa prej tyre", u shpreh Vatnikaj.

