Tropojë, Veliaj: Deklaroni rrogat, puna në të zezë nuk duhet vazhduar

Tropojë, Veliaj: Deklaroni rrogat, puna në të zezë nuk duhet

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj tha nga Bajram Curri se puna në të zezë nuk mund të vazhdojë më dhe brezi i ri duhet të informohet për reformën e ndërmarrë në pension. Veliaj theksoi hapjen e vendeve të reja të punës në zonën e Bajram Currit, që ky vend mos mbetet si "xhep i vecuar".

"Puna në të zezë nuk duhet të vazhdojë më dhe secili duhet të deklarojë rrogën e plotë për të pasur një pension më të lartë. Kurse, ata që janë në prag pensioni, kjo reformë i prek shumë pak, madje pensioni i tyre do të pësojë rritje. Është e rëndësishme ta bëjmë biznesin të interesuar për Tropojën, për turizmin dhe për të hapur vende të reja pune. Duhet t'i kthejmë sytë nga kjo zonë që të sigurohemi që ky vend të mos mbetet një xhep i veçuar", u shpreh ai," tha Veliaj.

 

Ai theksoi se me reformën e re të pensioneve të gjithë ata që dalin në pension nga janari 2015 do të marrin një pension më të lartë.

Në takimin zhvilluar me kryetarin e bashkisë së Bajram Currit, Veliaj tha se pavarësisht bindjeve politike të secilit, brezi i ri duhet të bashkëpunojë sepse politika duhet të reflektohet në shërbim të qytetarëve. Nga ana tjetër, ai theksoi rëndësinë e efiçencës së shërbimeve sociale në qytet dhe për qytetarët në nevojë, si dhe rritjen e investimeve në zonat veriore të Shqipërisë, mbështetjen që mund të japë qeveria e biznesi për projekte në fushën e bujqësisë, turizmit apo infrastrukturë.

 

Duke folur për arsimin dhe formimin profesional, Veliaj tha se të rinjtë e Bajram Currit apo të Qarkut të Kukësit kanë një mundësi të ndjekin një kurs profesional në Gjakovë ose Prizren, me të cilat MMSR-ja ka lidhur marrëveshje bashkëpunimi në këtë fushë.

"Do doja që shtatorin e ardhshëm të kemi mundësinë t'i shfrytëzojmë këto marrëveshje, që sa më shumë të rinj të ndjekin kurset e formimit profesional, ku kanë mundësi të marrin një zanat e të bëjnë diçka me duart e tyre", shtoi ai.

Në fund të takimit, ministri Veliaj theksoi faktin se institucionet e shtetit duhet të ofrojnë një shërbim model për qytetarët shqiptarë, në mënyrë që edhe shteti të ketë një fytyrë dinjitoze përpara tyre.

"Ne e shikojmë pushtetin si një mundësi për t'u shërbyer njerëzve. Prandaj, është e rëndësishme të kemi fytyrën e një shteti që u shërben të gjithëve pa përjashtim", e mbylli takimin Veliaj.

EMISIONET