Çela: Nga lëvizje qytetare në kërkesë politike, protestat tregojnë “mbushjen e kupës” së qytetarëve
Protestat e fundit në Shqipëri kanë marrë një kthesë të papritur dhe thellësisht politike. Ajo që filloi si një lëvizje qytetare për anulimin e projektit në Zvërnec, tashmë është përshkallëzuar në një thirrje masive për dorëheqjen e kryeministrit. Kjo valë e re zemërimi po thyen mitin e një shoqërie apatike, duke sjellë lëvizje në një skenë politike që më parë konsiderohej e zymtë dhe pa shpresë.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë në "Ora News", ishte politologu, Erlis Çela, i cili u shpreh se qytetarë të panumërt dhe të rinj kanë pushtuar sheshet, të shtyrë nga një lodhje e thellë ndaj arrogancës së pushtetit dhe kapjes së shoqërisë nga të ashtuquajturit "të fortë" të politikës. Ky reagim tregon qartë se kupa është mbushur dhe se nervi social i qytetarëve ka nisur të vlojë sërish, duke rrëzuar bindjen se njerëzit nuk reagojnë më kur përballen me padrejtësi.
"Po besoj domethënë protesta ka sjellë disa risi në këtë skenën tonë të zymtë, le të themi të pashpresë politike të para protestës, sepse ishte krijuar një le të themi, një kontekst social ku njerëzit, një pjesë e mirë le të themi e kishin humbur shpresën se këtu mund të lindi një reagim qytetar.
Pra edhe në biseda të lira mes njëri-tjetrit shpesh diskutoheshe ideja që shqiptarët nuk reagojnë më, ka vdekur nervi social i reagimit, njerëzit janë të pashpresë se me një reagim të tyre mund të ndryshojnë një gjë e të tjerë me radhë. Kështu që nga kjo pikëpamje është bukur një lëvizje e tillë.
Për më tepër kur shikon edhe të rinj që janë në shesh, të cilët janë kundër le të themi arrogancës.
Në këto lloj lëvizjesh ka një moment ku mbushet kupa dhe ku ka një moment vlimi le të themi, dhe kështu, kështu janë dhe rastet e ngjashme në, po të doni në rajon me Serbinë apo më tej se kaq, kudo ku ka patur reagime të forta qytetare.
Është shumë herët ndoshta për të parë se si, se sa do t'i ngjajë kjo protesta jonë domethënë, zhvillimeve të ngjashme që kanë patur në vende të ndryshme të Evropës apo të botës.
Pasi ende nuk, nuk jemi në një fazë ku mund të themi për një lëvizje të mirëfilltë apo një reagim të mirëfilltë politik, ku mund të spikasin, le të themi lidership i ri, por jemi ende në një organizim qytetar të, deri diku spontan, me disa lëvizje të vogla të disa aktivistëve. Pra kemi një miks interesant të njerëzve që kanë dalë për të protestuar", u shpreh Çela.

