Çaça: Ngjarja fatale nxjerr në pah neglizhencën dhe mungesën e trajnimit në polici

Humbja e jetës së një efektivi të ri të Policisë së Shtetit ka nxjerrë në dritë një realitet të hidhur dhe një dështim sistemik të institucioneve të sigurisë në vend.

I ftuar në emisionin "Drejt", në "Ora News", ishte avokati Përparim Çaça, i cili u shpreh se kjo ishte një tragjedi e paralajmëruar. Një vlerësim sipërfaqësor i riskut, si dhe mungesa e një analize të thelluar mbi rrezikshmërinë e autorëve, çoi në pasoja fatale. Dështimi i zinxhirit komandues është i dukshëm dhe thekson nevojën urgjente për nxjerrjen e përgjegjësive, duke mos lejuar që ngjarja të kalohet në heshtje siç ndodh rëndom.

Ky rast fatal ka hapur një debat të gjerë mbi trajtimin dhe stërvitjen e forcave të rendit. Efektivët gjenden çdo ditë në vijën e parë të frontit përballë krimit, por operojnë në kushte tejet të vështira, të nënpaguar, të keqtrajtuar dhe pa kualifikimet e nevojshme. Krahasimi mes dy palëve është shqetësues: figurat e botës së krimit rezultojnë të jenë shumë më të përgatitur sesa vetë strukturat shtetërore. Reagimi institucional, i cili zgjohet vetëm pasi ndodh tragjedia, lë pas një pikëpyetje të madhe mbi sigurinë e atyre që mbrojnë qytetarët.

" Fakti që kemi një dëshmor sot të rënë në krye të detyrës, do të thotë që Policia e Shtetit realisht nuk ka nxjerrë mësime gjatë kësaj kohe. Gjykoj, për mendimin tim, sepse ka një gjë shumë themelore, të paktën përsa i përket Policisë së Shtetit, por ndoshta edhe në sektorë të tjerë të cilët kanë risk të madh.

Së pari, punonjësi i policisë do të duhet të sigurojë jetën e vet, që më pas të ketë mundësi të sigurojë edhe jetën e qytetarëve. Vlerësimi, për mendimin tim, që është bërë sipërfaqësor i riskut në rastin konkret, ka sjellë pikërisht këtë pasojë fatale. Është, mua më duket e paralajmëruar, pra fakti që nuk janë marrë masat e duhura, nuk është bërë një analizë e riskut për të parë kush është personi, rrezikshmëria, çfarë ka ndodhur, se nuk dua të bie në përsëritje tashmë. Ajo që unë shikoj është fakti që ose zinxhiri komandues nuk ka funksionuar, dhe minimalisht do të duhet të nxirret dhe një përgjegjësi, sepse e kalojmë gjithmonë kështu, se po flasim për një jetë të një djali të ri.

Është e dhimbshme, një djalë i ri, i cili faktikisht hap një debat shumë të madh edhe përsa i përket përgatitjes së policisë, përsa i përket keqtrajtimit. Sepse në vijën e parë, faktikisht të frontit, gjithmonë me kriminelët normalisht që është policia, pra janë forcat e policisë. Dhe janë keq paguar, të keqtrajtuar, pse jo dhe të keqstërvitur, për mendimin tim, në kushte... ne i dimë shumë mirë, mjafton të shkoni në komisariate për të parë se çfarë ndodh. Pra, ne gjithmonë vetëm kur na ndodh, në thonjëza hataja, pastaj kujtohemi të themi: po si jemi kështu, a do të ishte më mirë? Kemi absolutisht personazhe të kriminalizuara ose kriminelë tipikë, të cilët janë shumë herë më lart sesa policia", u shpreh Çaça.

 

EMISIONET