Beqiri: Një dekadë në arrati dhe një operacion fatal, çfarë dështoi në polici

Një ngjarje e rëndë ka tronditur themelet e Policisë së Shtetit, duke lënë pas viktima në radhët e uniformave blu dhe duke ngritur pikëpyetje serioze mbi funksionimin e institucioneve të sigurisë.

Një operacion policor, i zhvilluar në një terren të vështirë rural, është kthyer në një tragjedi të vërtetë, ku një efektiv ka humbur jetën dhe një tjetër po lufton për mbijetesë.

Situata bëhet edhe më alarmante kur theksohet fakti se personi i shënjestruar, një individ me rrezikshmëri jashtëzakonisht të lartë, ka operuar i pashqetësuar për më shumë se një dekadë.

Që nga viti 2015, ai ka vepruar i lirë në zonën e tij, ndërkohë që aparati shtetëror duket se ka bërë sehir. Mungesa e ndërhyrjes së forcave speciale gjatë këtij aksioni, si dhe raportimet për katër operacione të dështuara të RENEA-s në të kaluarën, hedhin hije të forta dyshimi mbi planifikimin dhe zbatimin e detyrave.

I ftuar në emisionin "Drejt", në "Ora news", ishte pedagogu dhe avokati Evarist Beqiri, i cili u shpreh se çdo operacion policor kalon nëpër faza të rrepta: nga grumbullimi i inteligjencës te planifikimi dhe ekzekutimi. Megjithatë, në këtë rast, zinxhiri i komandës dhe vendimmarrjes duket se ka çeduar rëndë.

Kjo ngjarje nuk është thjesht një incident i izoluar kronike, por një pasqyrë e degradimit të institucioneve dhe neglizhencës ndër vite. Një tragjedi e ngjashme në Durrës, ku humbën jetën katër efektivë policie për shkak të pakujdesisë gjatë operacionit, nuk ka shërbyer si leksion për drejtuesit e institucioneve të sigurisë, të cilët mbajnë përgjegjësi direkte për trajtimin e burimeve njerëzore dhe zhvillimin e kapaciteteve.

"Është një ngjarje e rëndë dhe unë dua t'i bashkohem ngushëllimeve në radhë të parë për familjen e të ndjerit dhe uroj që efektivi ose punonjësi tjetër i policisë ta kalojë me sukses këtë sprovë të jetës, pra është duke u përballur me vdekjen dhe urojmë që ta kalojë, pra mos të shtohen kostot e jetëve njerëzore. Por nga ana tjetër nuk është thjesht një ngjarje kronike kjo, domethënë me sa kuptohet, është një situatë që zgjat prej afro, ju thatë në 2015-ën.

Pra një dekadë dhe më tepër se një dekadë, një person që jeton, punon atje në atë zonë, bën çfarë t'i dojë qejfi po themi dhe shteti hap sytë. Pra kjo është një situatë alarmante dhe tregon që diçka nuk funksionon në hallkat e shtetit tonë. Pra në rastin konkret këtu ka një operacion policor. Kuptohet që operacioni ka faza të ndryshme, është informacioni policor, informacioni nga shërbimet inteligjente, pra është faza e grumbullimit të informacionit, është faza e planifikimit të një ndërhyrje dhe patjetër dhe ekzekutimi, zbatimi i një operacioni. Dhe secila prej tyre ka nivele përgjegjësie.

Diku ka ceduar ose ka vendime që nuk janë marrë siç duhet. Pra, u fol që nuk ka pasur ndërhyrje të forcave speciale, ndërkohë kishte katër operacione me... nuk e di se duhen verifikuar dhe të dhënat tani, po flitej për katër operacione të RENEA-ve të dështuara.

Kështu që kjo do të thotë ky është një njeri me rrezikshmëri shumë të lartë.

Për të ardhur keq është dhe fakti që ne e kemi të përsëritur këtë gjë. Ne kemi pasur më parë raste kur kanë humbur jetën katër punonjës të policisë në Durrës në një mënyrë tragjike dhe aty, për neglizhenca përgjatë operacionit dhe në këtë rast unë gjykoj që ka përgjegjësi për t'u nxjerrë në këtë operacion. Por më e rëndësishme është që ne të nxjerrim mësime. Pra, kostot që vijnë nga vendimmarrjet e gabuara ndër vite e ndër dekada i takojnë edhe atyre që drejtojnë institucionet.

Kostot e kanë fjalën dhe në zhvillimin e kapaciteteve, në mënyrën se si ne i trajtojmë burimet njerëzore, profesionistët në institucionet e sigurisë. Dhe këto janë pasojat pastaj të këtyre neglizhencave të vazhdueshme, të degradimit të institucioneve dhe na shpërfaqen në momente të tilla të vështira. Pra, sepse është një operacion realisht shumë i vështirë, në një terren të vështirë, në zonë rurale, që kërkon një ndërhyrje shumë profesionale dhe shumë të kujdesshme. Ndërkohë diçka aty nuk ka funksionuar siç duhet dhe kuptohet që ti mund t'i planifikosh të gjitha dhe mund të ndodhi dhe ngjarja, ë? Se ka dhe një marzh risku aty që duhet vlerësuar. Por në rastin konkret nuk më duket se jemi në këtë situatë.

Një operacion policor, një operacion ushtarak e ka brenda riskun, por gjithsesi ka një vlerësim paraprak të situatës, një vlerësim të riskut, ka një vendimmarrje të kujdesshme në çdo hallkë dhe në çdo hap që hidhet siç e thamë. Ndërkohë, me sa duket diçka nuk ka funksionuar aty. Megjithatë le të lëmë hetimin të bëjë punën e vet, me sa dëgjova Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka filluar një hetim. Ta shikojmë çfarë do nxjerri, por më e rëndësishme është që ne të nxjerrim mësime dhe mos përsëriten më të tilla gabime me kosto jetësh punonjësve të policisë", u shpreh Beqiri.

EMISIONET