Çela: Operacioni doli jashtë kontrollit, mungesa e RENEA-s solli pasoja fatale
I ftuar në emisionin "Drejt", në "Ora News", ishte avokati Ervis Çela i cili bëri një analizë të veprimeve të Policisë së Shtetit nga ku zbuloi detaje tronditëse në lidhje me neglizhencën dhe mungesën e profesionalizmit nga ana e drejtuesve të lartë, të cilat sollën një pasojë fatale gjatë një operacioni të fundit.
Sipas Çelës situata ka dalë plotësisht jashtë kontrollit që në fazat e para të planifikimit të aksionit.
Fakti më shqetësues lidhet me deklaratën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, i cili pranoi mungesën e informacionit paraprak. Për më tepër, pavarësisht se personi në kërkim ishte skeduar me rrezikshmëri të lartë, në terren munguan forcat e specializuara të RENEA-s.
Në vend të tyre, në këtë operacion u dërguan efektivë të trupës "Shqiponja", të cilët kanë vetëm formim bazë policor dhe nuk disponojnë pajisjet apo mjetet e duhura mbrojtëse dhe sulmuese për t'u përballur me kriminelë të pajisur me armë luftarake, siç është kallashnikovi.
" Por ajo që dallon një shtet nga një tjetër është përgatitja dhe masat që ndërmerren për çdo rast. Që do të thotë, përveçse faktit që ne nuk kemi mësuar nga gabimet, ne kemi në rastin më të mirë neglizhencë, ose joprofesionalizëm nga ata që duhet dhe kanë detyrën për ta planifikuar dhe ekzekutuar ashtu siç duhet.
Sigurisht që faktet dhe rrethanat konkrete do të merren vesh gjatë hetimit dhe do të dalin detajet, por që nga deklaratat e para që kanë bërë drejtuesit e policisë së shtetit, ngjan me një situatë të pakontrolluar dhe të dalë jashtë kontrolli kur nga vetë drejtori i përgjithshëm thuhet që 'unë nuk kam pasur informacion', në momentin e parë.
Në momentin e dytë, për shkak edhe të gjithë kërkimeve të mëparshme të këtij personi, analizës që i bëhet personit në kërkim dhe planit të masave që ndërmerren për ekzekutimin për gjetjen dhe arrestimin e tij, kur ai ka rrezikshmëri të lartë, sigurisht që mosprazenca e forcave të specializuara për pikërisht këtë fushë kërkimi të policisë që është trupat efektive të RENEA-s dhe mosprazenca e tyre që këtu tregon që ka një mosplanifikim ashtu siç duhet, neglizhencë apo dhe mosushtrim të detyrave funksionale të drejtuesve të policisë që e kanë planifikuar këtë plan.
Fakti që aty kanë qenë punonjës të trupës së Shqiponjave nuk do të thotë që janë trupa të specializuara për pikërisht këtë lloj aksioni. Në mënyrë absolute jo, ne i shohim dhe në përditshmëri janë punonjës të policisë së shtetit të cilët kanë marrë formimin bazë policor, por nuk kanë as mjetet mbrojtëse dhe as të sulmit për raste të tilla, se me të drejtë nga drejtori i përgjithshëm i policisë u tha u përdor një armë zjarri luftarake siç është kallashnikovi.
Por forcat e policisë me çfarë armë shkuan po ngre unë një pyetje? Në një terren të tillë pra a ishin ato të pajisur me të gjitha mjetet ashtu siç duhet dhe për më tepër në një terren të tillë malor? Pra detajet do dalin, por nga vetë faktet dhe deklaratat paraprake këtu ngjan me një situatë të dalë jashtë kontrolli të paplanifikuar ashtu siç duhet dhe fatkeqësisht ka sjellë një pasojë fatale", u shpreh Çela.

