"Tritolin ia vumë Gjon Menës për 30 mijë euro, do blija shtëpi" zbardhet dëshmia e të dyshuarit, bashkëpunoi me Gjergj Cukalin

Dëshira për të blerë një shtëpi në Tiranë, ka çuar Enver Jakimin të bashkëpunojë me Gjergj Cukalin, një personazh të njohur të botës së krimit në kryeqytet, i cili i ka ofruar Jakimit 30 mijë euro, në këmbim të vendosjes së tritolit C4 në mjetin e Gjon Menës alias Altin Xhuxhit.

 

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Kamëz, por objektivi i këtij atentati Gjon Mena, fatmirësisht ka mundur të shpëtojë pa lëndime të rënda. Krimi i rëndë duket se ka lidhje për motivin e hasmërisë, pasi Gjon Mena në vitin 2019, është shoqëruar nga policia e Lezhës, si person i dyshuar në vrasjes e Eri Zefit ngjarje e ndodhur në Mirditë në Tetor 2019.

 

Me sa duket dyshimet e implikimit të Menës në këtë vrasje, ka sjellë dhe goditjen me tritol të Gjon Menës, por pa mundur ta ekzekutojnë.

 

Për atentatin me tritol tashmë policia dhe prokuroria e Tiranës, kanë arrestuar tre persona, kushërinjtë Enver dhe Edmond Jakimi dhe Gjergj Cukalin, njeriun mjaft të njohur në botën e krimit në Tiranë, si shpërndarës heroine dhe i dyshuar si pjesëmarrës në vrasjen e ish-policit, Arben Bilalit.

 

Enver Jakimi, njëri nga të arrestuarit, ka pranuar të bashkëpunojë me policinë, duke treguar të gjithë dinamikën e këtij krimi të rëndë, të financuar kundrejt 30 mijë euro nga Gjergj Cukali.

 

Grupi i hetimit mundi të bjerë në gjurmët e Enver Jakimit, falë një kamere të një servisi në fshatin Ferras, ku u sekuestrua një automjet “Ford Fista” në emër të Enver Jakimit.

 

Kur bleva mjetin dhe e telefonova, ai më tha se ishte Gjergj Cukali dhe unë e njihja përmes mediave sepse kishte probleme me drejtësinë. Më pas jemi takuar herë pas herë përfshirë dhe në varrimin e një personi të njohur. Sa i përket atentatit ndaj Gjon Menës, ku mbeti i plagosur, një ditë dikush më thirri “…O Velo…” dhe ktheva kokën. Nuk e kuptova pse më thirri kështu, por pashë se po më thërriste Gjergj Cukali.

 

Ai tha se kishte një punë për mua, por fillimisht nuk doja të përfshihesha në aktivitetin e tij kriminal. Më tha se do të më paguante 30 mijë euro, nëse do të vija minën me celular në automjetin e një personi, më shpjegoi arsyet dhe vendin ku unë duhet ta vendosja minën. Fillimisht nuk pranova, por më pas duke qenë se jam pa punë dhe pa shtëpi, vendosa ta kryej këtë punë me qëllim që të blej një banesë për veten dhe familje”, ka treguar në polici, Enver Jakimi.

 

Më tej ky i fundit ka treguar se për të vrarë Gjon Menën, ka kërkuar ndihmën e mikut të tij Edmond Jakimi, të cilit i ka premtuar 5 mijë euro. Jakimi, shton se edhe pse e kryen atentatin, shumën prej 30 mijë euro nuk e kanë marë nga Gjergj Cukali.

 

“Në momentin që ka ndodhur shpërthimi, Cukali më ka kërcënuar se nuk e kisha çuar deri në fund punën dhe nuk më ka dhënë 30 mijë euro, por vetëm 3 mijë…”.

 

Jakimi thotë se ia ka dhënë paratë kushëririt të tij Ermond Jakimi, të cilit i kishte premtuar 5 mijë euro. Nga ky moment, Enver Jakimi është ndjerë i mashtruar nga Cukali dhe sapo u arrestua nga policia, ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë dhe të japë emrin e porositësit, që ishte Gjergj Cukali.

EMISIONET