16 vite nga opinioni historik i GJND-së / Gjykata Ndërkombëtare njohu se pavarësia e Kosovës nuk shkeli të drejtën ndërkombëtare

16 vite nga opinioni historik i GJND-së / Gjykata Ndërkombëtare

Sot shënohen 16 vite nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) në Hagë, e cila më 22 korrik 2010 publikoi opinionin e saj këshillëdhënës lidhur me shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Me 10 vota pro dhe 4 kundër, gjyqtarët e GJND-së vendosën se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare, duke rrëzuar pretendimet e Serbisë se shpallja e 17 shkurtit 2008 ishte e paligjshme.

Vendimi u bë publik nga presidenti i atëhershëm i Gjykatës, Hisashi Owada, i cili deklaroi se "miratimi i deklaratës së pavarësisë së 17 shkurtit 2008 nuk ka shkelur të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare".

Procesi në GJND ishte iniciuar pas kërkesës së Serbisë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për një opinion këshillëdhënës mbi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Opinioni i Gjykatës u cilësua si një fitore e rëndësishme juridike dhe diplomatike për Kosovën, duke krijuar një bazë të re për njohjet ndërkombëtare të shtetit të ri.

Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008 dhe që atëherë është njohur nga një numër i madh shtetesh në botë, ndërsa vazhdon përpjekjet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Vendimi i GJND-së i 22 korrikut 2010 mbetet një nga ngjarjet më të rëndësishme në procesin e shtetformimit të Kosovës dhe një pikë referimi në argumentimin e legjitimitetit të pavarësisë së saj në arenën ndërkombëtare.

EMISIONET