Preket ëndrra pas 5 dekadash / New York "Knicks" mposhtin Spërs-at në Teksas dhe udhëheqin 2-0 finalen e NBA-së

Preket ëndrra pas 5 dekadash / New York "Knicks" mposhtin

New York "Knicks" kanë bërë një hap të madh drejt titullit kampion në NBA, duke marrë një tjetër fitore dramatike në fushën e San Antonio Spërs dhe duke kaluar në epërsi 2-0 në serinë finale.

Në një ndeshje të tensionuar deri në sekondat e fundit, skuadra nga “Big Apple” triumfoi me rezultatin 105-104, duke përmbysur çdo parashikim dhe duke mbajtur gjallë ëndrrën për titullin e parë pas më shumë se pesë dekadash.

New York, i cili nuk e ka fituar kampionatin që nga viti 1973, është tashmë vetëm dy fitore larg një trofeu historik, me dy ndeshjet e radhës që do të zhvillohen në “Madison Square Garden”, ku pritet një atmosferë elektrizuese.

Ylli i ekipit, Xhajlen Branson, ishte sërish vendimtar me 20 pikë, 5 rikuperime, 6 asistime dhe 5 vjedhje topi. Ai u mbështet nga Mikal Bridges me 20 pikë, Karl-Entoni Tauns me 21 pikë, 13 rikuperime dhe 4 asistime, OG Anunobi me 17 pikë dhe Landry Shamet me 13.

Nga ana tjetër, San Antonio Spërs, që po luajnë finalen e tyre të parë pas shumë vitesh, treguan potencial por edhe mungesë përvoje në momente vendimtare.

Viktor Uembanjama ishte më i miri për teksanët me 29 pikë, 9 rikuperime dhe 4 bllokime, por disa gabime në fund, përfshirë një top të humbur në sekondat vendimtare, rezultuan vendimtare për fatin e ndeshjes.

Me serinë që tashmë anon qartë drejt Nju Jorkut, mbetet për t’u parë nëse Spërs do të reagojnë apo nëse “Knicks” do të arrijnë të mbyllin një nga rikthimet më të mëdha në historinë e tyre drejt titullit kampion.

EMISIONET