KOSOVA VOTON/ Spahiu: Zgjedhjet nuk e zgjidhin ngërçin, pa ndryshuar Kushtetutën kriza përsëritet

Rreth 2 milionë qytetarë të Kosovës u drejtohen kutive të votimit në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, me shpresën për t'i dhënë fund një ngërçi politik që e mban vendin peng prej afro dy vitesh.

Vota e tyre pritet të përcaktojë përbërjen e re të Kuvendit dhe fatin e institucioneve, megjithatë, pritshmëritë për një zgjidhje të shpejtë të krizës duken të zbehta.

Fusha e betejës politike mbetet e pandryshuar, e dominuar nga retorikat e ashpra dhe përplasjet mes figurave kryesore, ku vihet re angazhimi i fortë i Vjosa Osmanit dhe liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Objektivi i këtij të fundit është i qartë: sigurimi i një stabiliteti qeverisës dhe grumbullimi i votave të mjaftueshme për zgjedhjen e presidentit. Por, parashikimi i rezultatit të këtyre zgjedhjeve është kthyer në një mision të pamundur.

Fenomeni i gënjeshtrës ka ndryshuar kahje në vend. Tashmë nuk janë vetëm politikanët që shpërndajnë premtime të rreme, por edhe vetë votuesit po fshehin disponimin e tyre të vërtetë, duke e bërë çdo prognozë zgjedhore krejtësisht të pasaktë.

Fitorja ose humbja e mandateve shtesë nga forcat politike mbetet një enigmë që do të zgjidhet vetëm në momentin e hapjes së kutive të votimit.

I ftuar në një lidhje të drejtpërdrejtë në “Ora News”, Profesor Nexhmedin Spahiu, theksoi se zgjedhjet nuk pritet ta zgjidhin ngërçin politik në Kosovë, dhe e vetmja shpresë është që liderët të arrijnë kompromis.

Ai e sheh shkakun kryesor të krizës te Kushtetuta e Kosovës, sidomos te mënyra e zgjedhjes së Presidentit me shumicë të kualifikuar (2/3), të cilën e konsideron të vështirë dhe jo të përshtatur për realitetin politik në Kosovë.

Z. Spahiu shtoi gjithashtu se edhe nëse kriza zgjidhet këtë herë, problemi do të përsëritet sërish në të ardhmen, nëse nuk ndryshohet Kushtetuta.

“Rezultati i pritur i këtyre zgjedhjeve nuk na jep një shpresë të madhe se mund të dalim nga ngërçi politik. E vetmja shpresë mbetet që liderët politikë do të ndryshojnë mendja dhe do të arrijnë kompromisin dhe do të dalim përtej këtij ngërçi politik.

Arsyeja e këtij ngërçi politik sigurisht është Kushtetuta e Kosovës, e cila edhe mënyra e zgjedhjes së presidentit të Kosovës që është bërë për një vend shumë më patriotik sesa që është Kosova, shumë më të avancuar, më të arsimuar sesa që është Kosova, është një Kushtetutë e bërë për Finlandën, për Çekinë, për vende domethënë të këtij niveli dhe jo për një vend ballkanik siç është Kosova.

Siç e dini, në të gjitha vendet ballkanike, përveç Kosovës dhe Shqipërisë, presidenti zgjidhet në mënyrë direkte, me vota direkte nga populli. Te ne zgjidhet me 2/3. Në Shqipëri ky problem është i rregulluar sepse nuk kërkohet kjo, nuk lipsen 2/3, por në Kosovë është akoma, nevojitet një konsensus shumë i gjerë.

 

Kjo gjë pothuajse është e pamundur dhe deri më tani kjo çështje është zgjidhur me ndërhyrjen e amerikanëve. Por në momentin kur amerikanët na kanë lënë që ne të merremi vesh domethënë që ne vetë t'i zgjedhim problemet tona, atëherë ne nuk po i zgjidhim se nuk po i zgjidhim këto probleme.

Edhe kurrsesi të merremi vesh që të ndryshojmë Kushtetutën dhe ta bëjmë më adapt, konstruktit tonë mental, në mënyrë që të mos kemi probleme në të ardhmen. Unë edhe nëse rastësisht do ta zgjedhim presidentin kësaj radhe, ne prapë pas pesë vitesh do të ballafaqohemi me të njëjtin problem". -tha ai.

NDIQNI INTERVISTEN E PLOTE

EMISIONET