"Nuk ka vende të sigurta në Rusi" / Andriy Sibiha: Gjërat vetëm do të përkeqësohen, Putini humbi shansin për paqe

Ministri i Punëve të Jashtme i Ukrainës, Andriy Sibiha, ka deklaruar se presidenti rus Vladimir Putin ka humbur një mundësi për t’i dhënë fund luftës, pasi ka refuzuar ftesën e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për negociata të drejtpërdrejta paqeje.
Në një postim në rrjetin social X, Sibiha tha se “nuk ka lajme të mira për rusët”, duke shtuar se situata për Rusinë do të përkeqësohet më tej si në fushën e betejës, ashtu edhe në aspektin diplomatik dhe ekonomik.
“Gjërat vetëm sa do të përkeqësohen për Rusinë. Humbjet në fushën e betejës do të vazhdojnë të shtohen. Dështimet do të bëhen gjithnjë e më poshtëruese”, thuhej në deklarimin e tij.
Sibiha theksoi gjithashtu se “nuk ka vende të sigurta në Rusi që mund të përjashtohen nga sanksionet afatgjata të Ukrainës”, duke paralajmëruar se intensiteti i masave ndëshkuese do të vazhdojë të rritet.
Sipas tij, presioni ndërkombëtar ndaj Moskës nuk do të lehtësohet, por përkundrazi do të shtohet.
“Presioni ndërkombëtar nuk do të lehtësohet. Ai vetëm do të rritet”,- shtoi ai.
Sibiha vlerësoi se Rusia do të detyrohet në të ardhmen të pranojë një zgjidhje diplomatike, por në kushte më të pafavorshme sesa ato që mund të kishte marrë më herët.
“Refuzimi i paqes nga Putini duhet të çojë në një rritje të ndjeshme të presionit ndërkombëtar mbi Rusinë dhe mbështetjes për Ukrainën”, përfundoi ai.


