Kompania e bukurisë padit Brad Pitt për emrin e markës!

Aktori i njohur Brad Pitt është përfshirë në një proces ligjor pasi kompania e produkteve të bukurisë për meshkuj “Beau D.” e ka paditur për shkelje të markës tregtare dhe konkurrencë të pandershme.
Sipas dokumenteve gjyqësore, kompania “Beau D.”, e regjistruar në vitin 2020, pretendon se marka e kujdesit të lëkurës së Pitt ndryshoi emrin nga “Le Domaine” në “Beau Domaine” në vitin 2025, duke krijuar konfuzion tek konsumatorët për shkak të ngjashmërisë së madhe mes dy emrave.
Brad Pitt e kishte lançuar linjën e tij të kujdesit të lëkurës në vitin 2022, në bashkëpunim me familjen franceze Perrin. Marka e tij lidhet edhe me vreshtin Château Miraval, ku aktori zotëron 50 për qind të aksioneve. Produktet e “Beau Domaine” përmbajnë përbërës të nxjerrë nga varietete rrushi si Grenache, Syrah dhe Mourvèdre, të cilat promovohen për efektet kundër plakjes.
Kompania paditëse kërkon 75 mijë dollarë dëmshpërblim, si dhe ndalimin e përdorimit të mëtejshëm të emrit “Beau Domaine”, duke argumentuar se ai krijon ngatërrim në treg dhe dëmton markën e tyre.
Në padinë e saj, “Beau D.” akuzon gjithashtu kompaninë e aktorit për “false designation of origin”, duke pretenduar se konsumatorët mund të mashtrohen mbi origjinën e produkteve.
Themeluesi i kompanisë, Brandon Palas, tha se ka tentuar disa herë ta zgjidhë çështjen në mënyrë private, por pa sukses. Ai theksoi se rasti nuk ka të bëjë me publicitet, por me mbrojtjen e një marke të ndërtuar me kohë.
Nga ana tjetër, Brad Pitt ka deklaruar më herët se nuk dëshiron që marka e tij të lidhet me famën personale, duke theksuar se fokusi është te shkenca dhe përbërësit natyralë, jo te imazhi i tij publik.
Ndërkohë, lajmi për padinë vjen në një periudhë të ndjeshme për aktorin edhe në jetën private, pasi djali i tij i madh, Maddox, ka kërkuar ndryshimin ligjor të mbiemrit, duke hequr “Pitt” dhe duke përdorur vetëm “Jolie”.
Raportohet se edhe disa nga fëmijët e tjerë të çiftit Brad Pitt dhe Angelina Jolie kanë përdorur më shpesh mbiemrin e nënës së tyre, në një kontekst të marrëdhënieve të tensionuara familjare pas divorcit të vitit 2016.


