“Përbindëshat” norvegjezë përballë Anglisë/ Lundra: Harry Kane befason para sfidës së madhe të Botërorit

Në emisionin “Ora e Botërorit” në Ora News, gazetari dhe analisti sportiv Dritan Lundra ka sjellë në vëmendje një deklaratë të veçantë të Harry Kane para përballjes së Anglisë me Norvegjinë. Sipas tij, sfida mes dy kombëtareve mund të shihet si një përballje mes forcës fizike të norvegjezëve dhe bukurisë së lojës angleze.

Në prag të çerekfinales së Kampionatit Botëror, Lundra u ndal te atmosfera që ka krijuar kjo sfidë dhe te mënyra se si sulmuesi anglez ka përshkruar kundërshtarin.

“Norvegjia përballë Anglisë. Përbindëshat përballë bukurisë së futbollit. Përbindëshat janë norvegjezët, jo anglezët. Kjo nuk është një shprehje që e thashë unë, por e tha Harry Kane para dy-tre orësh në një intervistë.”-tha ai.

Sipas analizës së Lundrës, Kane ka përdorur këtë krahasim duke iu referuar fuqisë dhe karakteristikave fizike të skuadrës norvegjeze, një ekip që ka tërhequr vëmendjen me lojën e saj dhe rezultatet në këtë Botëror.

Anglia dhe Norvegjia tashmë përballen në një nga sfidat më të rëndësishme të turneut, ku një vend në gjysmëfinale do të vendoset nga detajet dhe aftësia për të përballuar presionin e një ndeshjeje me shumë peshë.

Kampionati Botëror ka hyrë në fazën vendimtare, ku çdo përballje sjell emocione të mëdha dhe ekipet e mbetura në garë kërkojnë një vend mes katër më të mirave të turneut.

 

EMISIONET