Trend dh*nimi dhe shpërndarjen në rrjetet sociale, 15 të mitur në hetim çdo javë, prokurorja ngre alarmin

Përdorimi i drogës dhe varësia nga rrjetet sociale po ndikon në rritjen e agresivitetit tek të miturit.
Referuar rasteve të fëmijëve që po përballen me drejtësinë ose që janë proceduar penalisht, rezulton se minorenët në konflikt me ligjin përherë e më shumë po e promovojnë dhunën ku përfshihen.
Si një prokurore që punon përditë me fëmijët, magjistratja Vitjuna Mata, pjesë e seksionit që heton këtë grup-moshë është e bindur se drejtësia është hallka e fundit që parandalon.
“Ka trend në rritje të dhunës fizike dhe një trend që këtë ta shfaqin në rrjetet sociale. Kjo vjen edhe për shkak të modeleve të shoqërisë që ndjekin këta të mitur. Modeli i një personi të fortë, modeli i një personi të dhunshëm pëlqehet nga të miturit dhe këtë model kërkojnë ta shfaqin”, u shpreh prokurorja Mata.
Ndonëse nuk ka të dhëna zyrtare se sa është numri i fëmijëve përdorues, në një nga urdhrat e para të drejtorit të përgjithshëm të Policisë, Skënder Hitaj, është udhëzimi i vartësve për të raportuar periodikisht se çfarë kontrollesh kryejnë në afërsi të shkollave për të luftuar shpërndarjen e drogës.
Prokurorja thotë: “Vjedhja është shumë e përhapur. Ka një trend të përhapur të dhunës. Plagosje të lehta. Ka raste më të pakta të plagosjeve të rënda. Ka dhe një trend për përdoruesit e lëndëve narkotike. Pra, një pjesë e tyre janë përdorues të lëndëve narkotike”./TCH


